“McGonigal”, Rama përgjigjet nga Twitter

Më të fundit


Kryeministri Edi Rama ka vendosur t’i përgjigjet opozitës nga Twitter-i, ndërsa kjo e fundit e kishte thirrur për interepelancë në Kuvend, në lidhje me akuzat për çështjen e famshmë të ish-zyrtarit të FBI që po hetohet në SHBA.

“Kjo është një tallje e madhe dhe e shpifur e politikës pa din e as iman me ata që i shkojnë mbrapa kësaj politike figurash të diskredituara, të cilët duan të mbulojnë diellin me shoshë, ndërkohë që marrëdhëniet tona me SHBA dhe institucionet amerikane janë më të forta se kurrë.


Kush i ka dy fije mend e kupton se ç’është e tërë kjo histeri vetëgjyqësie politike e mediatike,mbi një gjyq në Amerikë për një zyrtar të FBI të cilin drejtësia e nongratave këtu pretendon se është korruptuar nga unë, ndërkohë që drejtësia amerikane s’ka asnjë akuzë a pretendim.

Një abuzim total me lirinë e fjalës, me të vërtetën, me publikun, në një dëshpërim total moral, politik, elektoral, ku me shpifje ekstreme synohet manipulimi i opinionit me një çështje të hetuar nga drejtësia amerikane që ka shkuar në gjykatë e që s’ka asnjë lloj lidhje me ne këtu”, ka shkruar kryeministri Edi Rama në Twitter.

Edhe pse mazhoranca pranoi kërkesën e opozitës për interepelancë me kryeministrin Edi Rama, ky i fundit nuk është paraqitur në Kuvend, duke ia deleguar interpelancën Elisa Spiropalit.

Vetë Rama s’ka dhënë ndonjë shpjegim për mungesën në Kuvend, ndërkohë që pak ditë më parë bëri me dije se ka qenë me grip.




Skip to toolbar