“Më cenon kompetencat”, Meta kthen ligjin për Akademinë e Shkencave

AKTUALITET


Në më pak se 12 orën Presidenti Meta i ka kthyer qeverisë dy ligje atë për “Akademinë e Shkencave” dhe ndërtimin me koncesion të rrugës Orikum –Dukat. Duket se Meta nuk ka ndërmend ta ndalë luftë e tij me Kuvendin dhe këtë e tregoi edhe të premten pasdite me kthimin për rishqyrtim të ligjit për “Akademinë e Shkencave”.

Në argumentet e tij, Meta thekson se një prej neneve të këtij ligji i cenon atij kompetencat , pasi bën një përmbysje të autoriteteve dhe rolit të organeve kushtetuese që nuk gjen asnjë mbështetje në Kushtetutën e vendit. Meta thekson se Presidenti është organi i emërtesës për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe kjo kompetencë e kurrsesi nuk mund të derivohet dhe as të kufizohet nga asnjë organ tjetër. Madje presidenti cilëson se nuk mund të vendosen as afate për emërimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave.


‘Nuk mundet që një organ i Akademisë së Shkencave të shqyrtojë dhe të shprehet me vendim për Dekretet e Presidentit të Republikës, pasi kjo nuk është e parashikuar në Kushtetutë. Afatet dhe mekanizmat zhbllokues të proceseve në raste të caktuara, duhet të vendosen në Kushtetutë. Kushtetuta nuk parashikon për procesin e emërimit të Kryetarit të Akademisë së Shkencave, as afate, as mekanizma zhbllokues dhe as institucione të tjera që mund të marrin vendim për dekretet e Presidentit të Republikës për këtë çështje. Presidenti i Republikës është organi i emërtesës për emërimin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe kjo kompetencë e Kreut të Shtetit kurrsesi nuk mund të derivohet dhe as të kufizohet në një vendimmarrje të dytë të ndonjë institucioni apo organi tjetër, kushdo qoftë ai. Kjo tejkalon kompetencën e parashikuar shprehimisht në dispozitën kushtetuese duke dhënë përparësi një akti juridik me fuqi më të ulët.” – shkruan Meta

Në nga arsyetimet e tjera të presidentit për kthimin e ligjit është edhe përplasja e roleve edhe hierarkisë së Akademisë së Shkencave me Institucionet e Arsimit të Lartë. “Akademia e Shkencave dhe anëtarëve të Asamblesë së saj, u jepet një rol jo vetëm koordinues, por dhe mbikëqyrës ndaj veprimtarisë shkencore të institucioneve të arsimit të lartë. Nëse qëllimi i ligjvënësit është që i gjithë procesi i kërkimit shkencor të udhëhiqet nga Akademia e Shkencave atëherë ai duhet të zyrtarizohet në mënyrë që të mos sjellin në praktikë interpretime mbi rolin, veprimtarinë apo produktet që dy institucione autonome, si Akademia e Shkencave dhe institucionet e arsimit të lartë kanë apo realizojnë.” shprehet Meta.

Kreu i Shtetit gjithashtu nuk la pa sulmuar qeverinë duke thënë se në fakt miratimi i këtij ligji dhe ndryshimet e tij nuk janë mbi parimet e shteti të së drejtës dhe forcimit të pavarësisë së institucioneve por mbi interesa persiane të personave të veçantë për shkak të rrethanave aktuale. Kujtojmë se më herët Meta nuk dekretoi emërimin e Skënder Gjinushit në krye të Akademisë së Shkencave, gjë që nxit përplasje mes tij dhe akademisë, por dhe vetë Gjinushit.

Lexo këtu dekretin e plotë.




Skip to toolbar