Me pistoletë të mbushur, arrestohet shkodrani

AKTUALITET


Policia e Shkodrës ka vënë në pranga një 43-vjeçar i cili lëvizte i armatosur me pistoletë dhe me 30 fishekë luftarakë, ndërsa dyshon se ai do ta përdorte armën në një ngjarje të rëndë kriminale.

Bazuar në informacionet e marra nga qytetarët, shërbimet policore në territor duke ushtruar kontrolle të befasishme,  kanë vënë në pranga 43-vjeçarin me iniciale E.K., i cili qarkullonte me armë zjarri në brez. Arrestimi i tij është bërë në rrugën “Isuf Sokoli”, të lagjes “Kongresi i Përmetit”, të qytetit Shkodër nga Forcat e Posaçme “Shqiponjat”, në orët e vona të mbrëmjes së të martës.


Gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti këtij shtetasi në brez një armë zjarri pistoletë, me një fishek në fole gati për qitje dhe 29 fishekë të tjerë të vendosur në dy krehra. Arma e zjarrit dhe municioni luftarak u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, qëllimit të qarkullimit me pistoletë me fishek në gojë, pasi nga të dhënat e marra në rrugë operative dyshohet për përfshirje në një ngjarje të mundshme kriminale.




Skip to toolbar