Media britanike: Trafikanti i drogës që iu ndalua hyrja në Britani, i lidhur me PD-në e Berishës

AKTUALITET


“The Times” ka publikuar këtë të shtunë një shkrim për të rinjtë shqiptarë që emigrojnë në Britani.

Aty përmendet edhe rasti i një trafikanti të rëndësishëm, që ka lidhje me PD, por edhe fakti se Sali Berisha u shpall “non grata” nga Britania.


“Ndërsa Britania e Madhe rrit numrin e riatdhesimeve të emigrantëve të paligjshëm shqiptarë, një trafikant i dyshuar droge, të cilit tashmë i është ndaluar hyrja në Britani, po bën bujë në politikën shqiptare.

Fation Dauti, i cili drejtonte një Bentley, iu sekuestrua rezidenca në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2019 pasi Agjencia Kombëtare e Krimit siguroi prova se ai ishte një lojtar kyç në biznesin e kokainës dhe kanabisit në Britani, i lidhur me trafikun e njerëzve dhe  i akuzar për dhunë.

Megjithatë, ai nuk është akuzuar dhe avokati i tij, Hektor Lahi, tha për The Times se Dauti ka deklaruar gjithmonë se është i pafajshëm dhe po kërkon të drejtat e tij. 

Lahi tha se Dauti, 37 vjeç, po kundërshtonte ndalimin e Mbretërisë së Bashkuar në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut me një vendim të mundshëm që pritet të meret brenda tre javësh.

Dhjetorin e kaluar, në Tiranë, Dauti u filmua përballë një turme mbështetësish të ish-kryeministrit Sali Berisha. 

Në video, ai shihet duke shkelmuar derën e një sallë takimesh në selinë e partisë së Berishës gjatë përleshjes mes fraksioneve rivale të partisë.

Në atë kohë, Partia Demokratike u nda në dy grupe rivale, njëra e udhëhequr nga Berisha, dhe kundërshtarët e tij që kishin mbyllur derën e sallës së mbledhjeve për të mos lejuar që mbështetësit e tij të mblidheshin atje.

“Dauti nuk e përfaqëson partinë në asnjë mënyrë. Ai ishte atje si aktivist”, tha një zëdhënës i partisë.

Vetë Berishës i është ndaluar hyrja në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA për dyshimet se ai është i përfshirë në korrupsion – pretendime që ai i mohon. 

Ai ka raportuar se Britania e Madhe e ka akuzuar atë për “marrëdhënie me grupet e krimit të organizuar dhe kriminelët që paraqesin rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe Mbretërinë e Bashkuar” dhe se ai ishte i gatshëm t’i përdorte këto lidhje” për të çuar përpara ambiciet e tij politike”, thuhet në shkrim.




Skip to toolbar