Meta: Meidani shembull për respektimin e institucioneve, (por vetë ka shkelur Kushtetutën)

AKTUALITET


Këtë të  shtunë të 17 gushtit, ish-Presidenti i Republikës Rexhep Meidani ka festuar 75 vjetorin e lindjes. Ilir Meta, që pak kohë më parë propozoi që t`i linte vendin në presidencë, i ka shprehur urimet për ditëlindjen Rexhep Meidanin, duke vlerësuar tek ai, veçanërisht “shembullin e respektimin të insitutcioneve”.

“Ishte kënaqësi t’i uroja sot 75-vjetorin e lindjes Prof. Rexhep Meidanit, ish-President i Republikës në vitet 1997-2002, një personalitet i jashtëzakonshëm, jo vetëm i shkencës, por edhe i jetës publike në vend, i cili ka ofruar gjithmonë kontribute pozitive me shumë përgjegjshmëri dhe modesti. Në veçanti do theksoja sot kontributet e tij si President që vendi të kishte një Kushtetutë demokratike si ajo që votua në Referendum në vitin 98, që ndihmoi në demokratizimin e vendit për një dekadë, si dhe angazhimin e tij të veçantë si President gjatë krizës së Kosovës dhe më pas për afirmimin e saj. Prof. Meidani për mua ka qenë gjithmonë një shembull i respektimit të institucioneve dhe parimeve demokratike, i mbrojtjes së interesit kombëtar dhe publik. Ndaj edhe njëherë po ndaj edhe me ju urimet e mia më të mira për Prof. Meidanin dhe familjen e tij në këtë ditë të gëzueshme”, shkruan Ilir Meta.


Ky urim i Metës ndaj Rexhep Meidanit vjen pak javë pasi presidenti, gjatë një konference për mediat, propozoi që Rexhep Mejdani të zgjidhej President i Republikës, pasi ai vetë do të rikthehej në garë politike. Ky propozim i çuditshëm i Ilir Metës erdhi si një mundësi e zgjidhjes së krizës. Megjithatë, në urimin e kreut aktual të shtetit, për ish-presidentin Meidani, Meta e merr si “shembull të respektimit të institucioneve”. Por nëse i referohemi zhvillimeve politike të vetëm dy muajve më parë, Meta del “gafil” edhe në këtë urim, pasi ai si President i Republikës, shkeli Kushtetutën duke miratuar një antidekret ku anulonte zgjedhjet e 30 qershorit.

Ai dekret i Metës më 10 qershor për pak sa nuk e çoi vendin në konflikt civil në 30 qershor, pasi opozita dhe sidomos krerët e bashkive të djathta, u angazhuan për të prishur procesin zgjedhor, qoftë dhe me dhunë, pasi “nuk njihnin zgjedhjet e 30 qershorit”. Ishte ndërhyrja në kohë e SHBA dhe BE, që parandaloi përshkallëzimin e tensioneve dhe konfliktin civil në 30 qershor, pas thirrjes që Mathew Palmer i bëri opozitës se “në rast dhune gjatë ditës së zgjedhjeve, PD dhe LSI do të shpalleshin organizata kriminale”. Ndërkohë, po për shkak të shkeljes së Kushtetutës, Parlamenti ka miratuar ngritjen e një Komisioni Hetimor për Ilir Metën,  me qëllim shkarkimin e Presidentit. Pra, nëse Meta e merr si shembull Presidentin Meidani për “respektimin e institucioneve”, të paktën kreu  aktual i shtetit, duhet të na tregojë se për cilin rast e ka fjalën, në aspektin personal të respektit ndaj institucionve.




Skip to toolbar