Mero Baze: Për të gjithë ata që duan të “zbojnë” Lulzim Bashën nga PD

Më të fundit


Shumë nga mbështetësit formalë të “Foltores” së Sali Berishës në PD, të cilët përbëjnë shumicën e atyre që e mbështesin, kanë si alibi nevojën që kanë për Sali Berishën për të hequr nga PD Lulzim Bashën. Shumë prej tyre i kuptoj. Kanë pas dështimet e veta në karrierë nën drejtimin formal të PD nga Lulzim Basha ose nuk kanë arritur të realizojnë ambiciet e tyre. Ndoshta dhe për faj të Lulzim Bashës. 

Por për të gjithë ata që kanë vërtet dëshirë të heqin Lulzim Bashën nga kreu I PD, dhe jo ata që e kanë për alibi, ka vetëm një rrugë. Dhe ajo është braktisja e Sali Berishës dhe largimi I tij familjarisht nga PD siç rekomandojnë sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 


Që të iki Lulzim Basha nga PD, apo së paku që të krijohen kushte që Lulzim Basha të iki, duhet që të ikë i pari Sali Berisha. Ata që thonë po nuk iku Lulzim Basha nuk ikën Berisha, thjesht ose nuk njohin Berishën, ose nuk duan të njohin të vërteten në PD.  

Nëse Lulzim Basha i hap rrugë Sali Berishës në këtë moment, jo vetëm që e kthen PD në një parti të fisit Sali Berishës zyrtarisht, por e kthen dhe në një repart regresiv antiperëndimor që do izolohet dhe shkatërrohet dhe nga vet ata që duan ti dalin zot tani. 

Lulzim Basha ka qenë i pamundur për tu konkurruar prej tyre deri më sot pikërisht pse kishte garant të tij Sali Berishën. Në korrik të këtij viti, sikur të mos ishte mbështetja e Sali Berishës ai dhe mund të ishte i konkurrueshëm. Ai u bë i pakonkurrueshëm falë Sali Berishës, i cili ishte ndërkohë në listë të zezë dhe rivalët e Lulzim Bashës bënin sikur nuk kishte rëndësi. Njësoj si Lulzim Basha.. 

Tani ata që vërtet mendojnë se duan të heqin Lulzim Bashën duke sjellë dhe formalisht në krye të PD Sali Berishën, janë thjeshtë ushtarë të Sali Berishës dhe jo kundërshtarë të Lulzim Bashës. Kundërshtarë real të Lulzm Bashës janë ata që duan një betejë me Lulzim Bashën pa Sali Berishën në sfond. Dhe ata në këtë moment, minimalisht duhet të jenë kundër Sali Berishës. Nuk i detyron njeri të jenë me Lulzim Bashën, por rreshtimi me Sali Berishën i bënë ata përgjegjës për shkatërrimin final të Partisë Demokratike, pasi ata nuk duan të zbojnë Lulzim Bashën, por të përsërisin fatin e Lulzim Bashës duke i emëruar tanimë ata Sali Berisha.. 

Prandaj kjo alibi nuk qëndron. Është thjesht një justifikim për të mbështetur një lëvizje regresive, e cila nuk do ketë as ditë lindje, as ditë vdekje, por do të qëndrojë si hije  zezë për PD sa të jetë gjallë Sali Berisha dhe derisa ndaj tij dhe familjes së tij të fillojë të veprojë drejtësia. Ata që mendojnë se me lëvizjen haxhiqamiliste të Sali Berishës do të trembin SHBA dhe drejtësinë thjesht i gënjen mendja, ose akoma më keq, i gënjen Saliu.  

Kushdo që ka vërtet aspiratë të konkurrojë apo të largojë Lulzim Bashën nga kreu i PD, duhet të luftojë të pastrojë fushën nga Sali Berisha. Njësoj vlen kjo dhe për ata që thonë “të ikin që të dy”. Sali Berisha as ka ikur as ikën me dëshirat e tyre fëminore apo djallëzore. Atij i duhet PD si një repart taliban kundër SHBA dhe do jetë aty për të shkatërruar legjitimitetin e saj dhe për të mbajtur një lëvizje ilegale në male kundër SHBA.  Mos prisni prej tij as të iki, as të bëhet kryetar as të formalizojë ndojnë parti të re. Ai do të qëndrojë në ilegjitimitet për tu dukur si viktimë e SHBA dhe Lulzim Bashës. Ata që duan PD dhe një të ardhme të saj qoftë dhe pa Luzim Bashën, së pari duhet të bëjnë betejë me te keqen më të madhe të PD e cila është Sali Berisha. Lulzim Basha është i dënuar të qëndrojë kundër Sali Berishës, është i dënuar të mbrojë PD prej tij dhe pastaj t’i hapë rrugë garës në PD pa Sali Berishën. Beteja e tij reale në krye të PD fillon tani, kur Sali Berisha e ka çuar PD në buzë të humnerës dhe do të marrë me vete bashkë me familjen e tij. Të tjerat vijnë pas.




Skip to toolbar