Meta “aleatë” në Lindje. Mediat ruse pasqyrojnë deklaratat (kundër Reformës në Drejtësi)

AKTUALITET


Deklaratat e presidentit Ilir Meta kundër Reformës në Drejtësi si dhe sulmet ndaj ndërkombëtarëve dhe SHBA kanë gjetur pasqyrim të gjerë në mediat ruse. Bie në sy portali rus regnum.ru i cili ka pasqyruar çdo deklaratë të presidentit shqiptar gjatë dy muajve të fundit. Vetëm dy ditë më herët portali ka pasqyruar sulmin e presidentit Meta kundër asaj që ai e cilëson si “Ramaforma” dhe që akuzon kryeministrin që së bashku me amerikanët kanë penguar hedhjen e shortit për KED-në dhe zgjedhjen e anëtarëve të gjykatës kushtetuese.

“Sipas Metës, në 2017 Kryeministri i Shqipërisë kërcënoi hapur anëtarët e sapo zgjedhur të këshillit gjyqësor, një strukturë kjo e ngritur posaçërisht për të zgjedhur anëtarët e Gjykatës Kushtetuese , duke theksuar se gjysma e tyre ishin të përfshirë në korrupsion (Meta, madje i ka bërë lidhje me video deklaratat e Ramës në atë kohë)”, shkruhet në artikullin e medias ruse.

A thua rusët janë kaq të interesuar për Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri dhe debatet midis Presidentit shqiptar dhe kryeministrit shqiptar për zgjedhjen e anëtarëve në këtë gjykatë?!

Më tej media ruse nga gjithë deklarata e gjatë e Metës përzgjedh pikërisht paragrafin që lidhet me amerikanët dhe ish ambasadorin Donald Lu.

“Presidenti i Shqipërisë rikujtoi se për shkak të sulmeve të socialistëve ndaj anëtarëve të Këshillit, ish-ambasadori i SHBA Donald Lu kritikoi ashpër anëtarët e KED, por më vonë ai pranoi se kishte gabuar në deklaratat e tij dhe se ishte keqinformuar nga mbështetësit e kryeministrit”, shkruajnë mediat ruse.

Duket se presidenti shqiptar ka gjetur mbështetje nga mediat ruse në lidhje me deklaratat e tij kundër reformës në drejtësi. Reformë kjo që mbështetet gjerësisht nga ndërkombëtarët dhe veçanërisht nga amerikanët.

Kujtojmë se vetëm pak ditë më herët Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit Philip Reeker, në një takim me ministrin në detyrë Gent Cakaj, deklaroi se reforma në drejtësi nuk ka kthim pas. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës konsiderojnë se reforma në drejtësi s’mund të jetë subjekt i asnjë kompromisi dhe ajo përbën një model për rajonin dhe përtej”.  Pra reforma nuk ka kthim pas, pavarësisht deklaratave të presidentit dhe pasqyrimit të tyre në mediat ruse./realstory.al



Skip to toolbar