Meta heq dorë nga roli i negociatorit, i kërkon ndihmë OSBE. Kritika edhe opozitës për situatën

AKTUALITET


Presidenti Ilir Meta duket se është dorëzuar nga roli i negociatorit që i kishte vënë vetes për të zgjidhur krizën në vend. Ai i ka dërguar  një letër Presidentit të Asamblesë së OSBE-së, Georgo Tsereteli si dhe ministrit të Jashtëm të Sllovakisë Miroslav Lajčák (që ka kryesimin e radhës), të cilëve u kërkon të nisin negociatat mes palëve politike në Shqipëri për t’i dhënë fund krizës politike në vend që pengon çeljen e negociatave me BE-në në tetor.

Në një prononcim për mediat nga Durrësi, mesditën e së premtes, Presidenti Meta përveç akuzave ndaj maxhorancës ka bërë përgjegjëse edhe opozitën, duke thënë se kishte mundësi për të mos e lejuar kapjen e institucioneve.


“Sot kemi një parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithçka, një situatë kaotike në të gjitha drejtimet, kjo është përgjegjësi e të gjitha palëve, asnjë nuk mund të shfajësohet, sepse opozita i ka pasur mundësi për të parandaluar me propozime me këmbë në tokë dhe të përgjegjshme shumë nga këto marrëzitë e skenarit të kapjes së institucioneve.

Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë që nuk takohen me njëra tjetrën që janë; rruga e kapjes së institucioneve nga njëra anë dhe rruga tjetër e delegjitimimit të të gjitha institucioneve. Ne jemi një vend dhe kemi nevojë për një rrugë të përbashkët, anëtarësimi në BE dhe dy palët të tregojnë përgjegjësi për të mos e cenuar këtë vullnet”, tha Presidenti.

Meta kujtoi edhe njëherë datën 13 tetor duke i bërë apel Ramës, Bashës e Kryemadhit, të cilët i cilësoi si “artistë” që të bëhen gati për zgjedhje.

“Besoj që jam shprehur qartë dhe përmes padisë në Kushtetuese për ligjin për Teatrin. Na shqetëson shumë ky teatri i madh politik, absurd, që kërcënon që Shqipërinë të dërrmojë cdo mundësi për të çelur negociatat në Tetor. Prandaj edhe njëherë u bëj thirrje në mënyrë të veçantë të tre artistëve, t’i japin fund këtij absurdi, të marrin masat për zgjedhjet vendore në 13 Tetor, pasi qytetarët kanë nevojë të kenë qetësi, normalitet, një qeverisje vendore të ligjshme dhe legjitime dhe garanton llogaridhënie

Sot kam formalizuar një letër drejtuar sekretarit të përgjithshëm të OSBE-së që vizitoi dje Tiranën por edhe kryetarit të radhës, ministrit të Sllovakisë dhe Presidentit të Asamblesë së OSBE-së, meqë Shqipëria përgatitet për të marrë kryesimin e OSBE-së vitin e ardhshëm për të negociuar me të dyja palët për një arritje të një zgjidhje sa më të shpejtë në ditët që vijnë, pasi nuk kemi kohë, jo vetëm për të parandaluar përshkallëzimin por edhe të padenjë për një vend që duhet të jetë shembull në kryesimin e OSBE-së për funksionimin e institucioneve demokratike”, është shprehur Meta.

Meta vazhdon të këmbëngulë që në 13 tetor të zhvillohen sërish zgjedhje vendore, dhe pranon se këto zgjedhje nuk i japin zgjidhje situatës por është një formë presioni ndaj Ramës.

“Sigurisht që 13 tetori dhe zgjedhjet vendore nuk besoj se zgjidhin gjithcka, por është një detyrim ligjor dhe kushtetues i pashmangshëm, sidomos për kryeministrin që të heqë dorë nga presionet dhe shantazhet ndaj institucioneve për të penguar zbatimin e dekretit dhe përgjegjësi e të gjithë të tjerëve për të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhje te 13 tetorit”, shprehet Meta.

Pas sulmeve e akuzave ndaj qeverisë e ndërkombëtareve duket se Meta është kthyer sërish tek thirrja e vjetër “me qetësi e dashuri” (pasi nuk ia doli dot me skenarin e destabilitetit), duke kujtuar se qytetarët kanë nevojë për normalitet dhe qetësi dhe për hir të negociatave palët të bien dakord. Por presidenti vazhdon të këmbëngulë në zgjidhje që bien në kundërshtim me Kushtetutën. Dekreti i 13 tetorit është antikushtetues pasi Meta e ka firmosur jashtë çdo afati kushtetues. Ndërsa zgjedhjet vendore u realizuan dhe pritet shumë shpejt që KQZ të certifikojë rezultatin përfundimtar.

Për sa i përket negociatave nga përfaqësuesit e OSBE-së, gjatë të enjtes në vizitën që zhvilloi në Tiranë sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Thomas Greminger bëri të qartë se zgjidhja duhet të vijë nga shqiptarët dhe jo nga ndërkombëtar. Pra, pavarësisht kërkesë së Metës, përfaqësuesi i OSBE tha shkurt dhe prerë se ata nuk do të ndërhyjnë ndërsa bëri apel për dialog në respekt të Kushtetutës (dokument që është shkelur nga presidenti përmes dekreteve dhe çdekreteve të tij dhe për të cilën kuvendi ka nisur procedurat për shkarkimin e tij). /realstory.al

LIVE – Prononcim për mediat nga Durrësi

Gepostet von Ilir Meta am Freitag, 26. Juli 2019



Skip to toolbar