Meta mbron dekretin dhe kërcënon ndërkombëtarët: Do mbani përgjegjësi

AKTUALITET


Në kushtet kur Kuinti i ndërkombëtarëve e ka anashkaluar për zgjidhjen e dialogut, Ilir Meta ka shfrytëzuar një takim me Ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Peter Szijjarto, për të mbrojtur dekretin e anulimit të zgjedhjeve, që tashmë është nul.  Meta vijon ta quajë dekretin e tij si legjitim, por nga ana tjetër bën thirrje për shmangie të konfliktit, sepse sipas Presidentit, pasojat e tij do të ishin ndaj vendit. Madje ai nuk heq dorë as nga presioni ndaj ndërkombëtarëve, ashtu sikundër bëri dhe të martën në konferencën për shtyp, ku i quajti “fondacion”.

Në deklaratën e publikuar nga presidenca, Meta ngre zërin duke u bërë presion ndërkombëtarëve, pasi shprehet se ata do të jenë bashkëpërgjegjës nëse do të ketë konflikt në vend. “Çdo veprim drejt rrugës së paligjshmërisë dhe të konfliktit, e nxjerr Shqipërinë nga perspektiva e saj europiane e njëkohësisht të gjithë aktorët e brendshëm ose të jashtëm që i kontribuojnë këtij skenari, do të mbajnë përgjegjësi përpara popullit shqiptar”.


Pra, Ilir Meta kërkon dialog nga palët politike në vend, por njëkohësisht, duke parë braktisjen ndërkombëtare, pas dekretit të tij anti-kushtetues për anulimin e zgjedhjeve, po kërkon të tërheq vëmendjen, duke ngritur zërin. Në vetëm 24 orë, Meta kaloi nga deklaratat e “fondacionit ndërkombëtar”, te futja në të njëjtin thesë të ndërkombëtarëve, të cilët tashmë i bën bashkëpërgjegjës për krizën në vend, të cilën më shumë se kushdo, e ndezi me dekretin anti-dekret të 10 qershorit.




Skip to toolbar