Meta nuk e mbyll tetorin në Presidencë. Venecia: Opinioni, më 11 tetor

AKTUALITET


Për më shumë se 60 minuta ekspertët e delegacionit të Komisionit të Venecias kanë zhvilluar të mërkurën një takim me dyer të mbyllura me anëtarët e Komisionit Hetimor Parlamentar për Shkarkimin e presidentit Meta.

Në përfundim të takimit ekspertët e Venecias kanë bërë të ditur për median se opinionin e tyre do ta japin më 11 tetor. Ata janë shprehur se takimet në Tiranë kanë qenë produktive dhe se tashmë kanë një opinion për çështjen.


Kryetari i delegacionit të Venecias, Kaarlo Tuori dhe anëtarët Grainne Mcmorroë, Schnutz Rudolf Dürr dhe Thomas Markert gjatë të mërkurës janë takuar fillimisht me anëtarët e Komisionit Hetimor dhe më pas me përfaqësues të shoqërisë civile, ndërsa një ditë më herët, të martën zhvilluan takime me Presidentin Meta, kryetarin e Kuvendit, Ruçi, me përfaqësues të opozitës parlamentare dhe jashtëparlamentare si dhe me kryeministrin Rama. Në të gjitha takimet ata kanë mbajtur shënim qëndrimet e ndryshme të palëve lidhur me kërkesën e 55 deputetëve të kuvendit për të shkarkuar presidentin për shkelje të rëndë të Kushtetutës.

Është hera e parë që parlamenti i Shqipërisë ndërmerr një nismë të tillë, pra të shkarkojë presidentin për shkelje të Kushtetutës.

Vetë Meta ishte i pranishëm të hënën në një seancë dëgjimor me pyetje dhe përgjigje në Komisionin Hetimor Parlamentar. Dy ishin argumentet që përdori presidenti për të mbrojtur veten. Ai tha se firmosi anulimin e datës së zgjedhjeve për t’i dhënë mundësi shqiptarëve të zgjidhnin më shumë se një kandidat në zgjedhje  dhe argumenti i dytë ishte se ai kishte pasur informacion se “persona të caktuar do të shfrytëzonin mitingun e opozitës për të djegur kuvendin”. Por kjo deklaratë e Metës u rrëzua të martën gjatë takimit që ekspertët e Venecias zhvilluan me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj. Ai tha se policia nuk disponon asnjë të dhënë se gjatë protestës së opozitës së 8 qershorit do të kishte sulme ndaj Kuvendit, apo ndaj ndonjë institucioni tjetër shtetëror.

Të gjitha këto të dhëna janë mbajtur shënim nga ekspertët. Ata kanë pohuar se do të paraqesin një raport paraprak brenda muajit shtator, ndërkohë që opinioni zyrtar do të miratohet në seancën e parë të Komisionit të Venecias që do të zhvillohet në ditët e para të Tetorit.

Edhe Komisioni Hetimor parlamentar ka afat deri në datën 9 tetor. Sipas të gjitha gjasave nuk pritet të ketë shtyrje të afatit të Komisionit, pasi çështjet kanë dalë në dritë dhe anëtarëve të tij nuk i ka mbetur ç’të hetojnë më tej në lidhje me shkeljen ose jo të Kushtetutës nga ana e presidentit Meta. Ndaj mendohet se brenda tetorit kuvendi do të miratojë raportin e komisionit hetimor për shkarkimin e Metës. Dhe fill pas vendimit të parlamentit çështja do t’i kalojë Gjykatës Kushtetuese e cila do të thotë fjalën e fundit./realstory.al




Skip to toolbar