Meta nuk u ndahet ndërkombëtarëve: Po mbajnë Shqipërinë në ngërç

#NËRADAR


Në 1 orë e 30 minuta konferencë për mediat, Ilir Meta, pas një periudhe të gjatë heshtje, ka sulmuar përsëri ashpër ndërkombëtarët. Meta bëri përgjegjës, për atë që ai e quan ‘antagonizëm’, pikërisht faktorin ndërkombëtar. Sipas Ilir Metës, Rama dhe Basha janë nxitur në ‘mungesën e përgjegjësisë’ nga ndërkombëtarët, që sipas Presidentit, arsyeja e këtij polarizimi është për të ‘mbajtur Shqipërinë në situatë ngërçi.  

“Kjo ka qenë një situatë artificiale, e kam thënë, shqiptarët nuk e kanë merituar, se ky polarizim nuk jeton poshtë në shoqëri, në lagje, komunitete, fshatra, ky është një antagonizëm nga lart, por duket dhe si antagonizëm i orkestruar nga jashtë për të mbajtur Shqipërinë në një situatë ngërçi, dhe jo për të pasur ato kredenciale si një vend i NATO-së që duhej të kishte hapur negociatat, dhe që njerëzit nuk duhet të ikin me vrap nga vendi. Nëse reflektojnë tani është gjë e madhe, ja kam kërkuar prej kohësh. Ka qenë e pamundur deri tani për shkak të pavullnetit të tyre. U kam dhënë një rrugë për të ecur në rrugën e kthimit të vendit në shinat e kushtetutës”, tha Meta.


Pra, Meta ‘shkarkon’ përgjegjësinë e tij për thellimin e krizës me ‘dekret’, dhe vë ‘nën akuzë’ ndërkombëtarët, si shkaktarët e krizës politike në vend. Në fakt, ndërkombëtarët, të paktën vendet aleate, gjatë gjithë kohës, jo vetëm që nuk kanë nxitur ‘polarizimin’ dhe ‘antagonizmin’, siç presidenti pretendon, por kanë bërë thirrje për dialog dhe bashkëpunim. Janë lehtësisht të verifikueshme deklaratat e vendeve partnere, që nga nisja e krizës e deri më sot, që u kanë kërkuar palëve politike të ulen në dialog, të bashkëpunojnë për reformat kryesore në vend dhe të punojnë për qëllimin madhor të Shqipërisë, hapjen e negociatave me BE.

Por sulmet nuk u ndalën me kaq. Ai ka shigjetuar Reformën në Drejtësi. Gjatë deklaratës së tij, Meta përmendi rastet e bashkëpunimit të Shqipërisë me Komisionin e Venecias, duke sjellë shembulli për hartimin e Kushtetutës së vitit 1998. Lidhur me këtë dokument themeltar të funksionimit të shtetit, Meta u shpreh se ka qenë një nga kushtetutat më të mira të vendit.

 “Jam këtu për të dhënë përgjigje përtej objektit të punës së Komisionit të Venecias. Për komisionin e Venecias unë kam respektin më të madh. Nuk janë diplomatë që flasin pa përgjegjësi se do ikin nesër dhe do vazhdojnë punën e tyre. Ata janë një referencë edhe për vendet e tjera. Ndaj ka bërë shumë mirë Kuvendi që e ka ftuar. Në vitin 1998 kushtetutën e bëmë me Komisionin e Venecias. Ajo u votua. Pastaj u ndryshua brenda natës dhe nuk u pyet as Venecia as qytetarët, e duartrokitën disa ambasadorë”, tha Meta.

Më tej, kreu i shtetit vijoi sulmin ndaj Reformës në Drejtësi, madje duke lënë të kuptohet se shkaku pse vendi është në krizë politike, është pikërisht moszbatimi i kësaj reforme. “Kjo situatë është edhe shprehje e një krize kushtetuese institucionale të vendit. Një nga arsyet pse jemi këtu është se janë shkelur rekomandimet e Venecias për Prokurorinë e Përgjithëm dhe për Gjykatën Kushtetuese. Prandaj duhet t’i kishim dëgjuar ata”, tha Meta. /Relastory.al/




Skip to toolbar