Meta thërret për betim anëtaret që njeh, përjashton Vorpsin

AKTUALITET


Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji, janë thirrur për betim në presidencë nga Ilir Meta. Tre të zgjedhurat si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Toska dhe Papajorgji nga Kuvendi dhe Xhaferllari nga Presidenti, janë thirrur të treja që të bëjnë betimin në presidencë të enjten në mbrëmjen.

Në njoftimin zyrtar të Presidentit, e para që thirret për betim është Elsa Toska e votuar nga Kuvendi në datën 11 nëntor. Ajo është thirrur të betohet në orën 19:00 të mbrëmjes. E dyta që duhet të paraqitet për betim, është Marsida Xhaferllari, të cilën Ilir Meta e dekretoi të mërkurën pasdite si anëtare të Gjykatës Kushtetuese. Ajo do të paraqitet në presidencë në orën 19:30.


Ndërsa e treta dhe e fundit për tu betuar para presidentit është Fiona Papajorgji e zgjedhur nga Kuvendi, e cila duhet të paraqitet në presidencë për betim në orën 20:00. Ilir Meta është kujdesur që të treja kandidatet të betohen në orare të ndryshme, duke respektuar “radhën” e përzgjedhjes së tyre.

Ky njoftim i Ilir Metës, erdhi pak orë pasi Arta Vorpsi e shpallur fituese nga KED për vakancën e Presidentit, bëri betimin para një noterje.  Tashmë Ilir Meta e shmang zyrtarisht Arta Vorpsin, kandidaten më të vlerësuar nga  Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ndërkohë, parlamenti do të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme të premten ku pritet të miratohet një projekt-rezolutë në lidhje me vendimin e Ilir Metës për dekretimin e Marsida Xhaferllarit.




Skip to toolbar