Meta, udhëtim privat drejt Strasburgut, lobime në Venecia

AKTUALITET


Ilir Meta ka fluturuar drejt Frankfurtit, por pavarësisht se në cilësinë e Kreut të Shtetit, ai vizitën e ka mbajtur tërësisht private.

Burime nga protokolli i shtetit bëjnë me dije se asnjë punonjës i Ministrisë së Jashtme apo Ambasadës shqiptare në Strasburg nuk është përfshirë në vizitën e Presidentit. Pasi ka fluturuar me linjën ne Frankfurt, Ilir Meta ka udhëtuar drejt Strasburgut me një makinë luksoze të marrë me qera (nuk dihet si dhe kush ka paguar për këtë) dhe më pas është akomoduar në një vilë pranë qytetit të vogël ku ka selinë edhe Komisioni i Venezias.


Portali pranë Ilir Metës raporton se Presidenti do të zhvillojë një takim me Kongresin e Autoriteteve Vendore, por mbetet mister përse një vizitë e tillë e Kreut të Shtetit duhet të mbahet e fshehur dhe pa protokoll?

Burimet pranë Metës bëjnë me dije se në fakt arsyeja e vërtetë e udhëtimit drejt Strasburgut është një takim sekret me Gianni Buquicho, ndërkohë që këto ditë Komisioni i Venecias nën drejtimin e Buquichos do të marrë vendimin nëse Ilir Meta e ka shkelur apo jo Kushtetutën e Republikës kur vendosi të çdekretojë datën e zgjedhjeve të 30 qershorit duke nxitur protesta të dhunshme që e kanë dëmtuar jo pak imazhin e Shqipërisë.

Jo më larg se dy ditë më parë, në një intervistë në portalin pranë tij, Ilir Meta deklaroi se ishte maxhoranca ajo që po lobonte pranë Komisionit të Venecias për ta shpallur jokushtetuese çdekretimin e 30 qershorit.

Meta theksoi tek Çim Peka se në rast se Komisioni i Venecias do ta klasifikonte si shkelje çdekretimin, atëherë Presidenti nuk do të priste as votimin e shkarkimit të tij në Parlament e as vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por do të jepte menjëherë dorëheqjen.

Por në kushtet kur Ilir Meta udhëton fshehtas dhe nën kamuflim drejt Strasburgut për të takuar personin kyç të Komisionit të Venecias, pyetja që ngrihet është: Kush po lobon në Strasburg, maxhoranca apo vetë Ilir Meta? Dhe a mos është ky lobim i Ilir Metës garancia dhe siguria që ai ka se Venecia nuk do ta lërë në baltë?/TEMA




Skip to toolbar