Një javë nga arrestimi i tij në rrugë në Tiranë, Ilir Meta nisi mbrojtjen përmes rrjeteve sociale, në pamundësi të mjeteve të tjera. E para ishte mënyra e prangosjes, që Meta preferoi ta krahasojë me një politikan italian, ish kryeministër në disa mandate apo poste ministrore, Aldo Moro.
“A nuk e rrëmbyen edhe Aldo Moron, brigadat e kuqe me uniformë policie do t’i pyesja të gjithë ata pseudoanalistë, që janë të shqetësuar nga kundërshtimi im ndaj këtij akti kriminal dhe mafioz, pa asnjë dokument juridik, pa etikë dhe duke përdorur një forcë kafshërore, që vjen nga instiktet shtazore të atij që i urdhëron.”, shkruan Meta.
Kreu i Partisë së Lirisë përmend gjetjet të dosjes së tij. Mbrojtja është permes ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi, që e përmend jo një herë në këtë reagim të tijin.
“Bëhet fjalë vetëm për 15 mijë Euro total në 20 vite hetime.Më duhet të sqaroj se kjo ka ardhur për shkak të garancive (të pavërteta) nga ish-bashkëshortja ime se çdo gjë ishte paguar, e deklaruar sipas ligjit. Pastaj çdo gjë tjetër ishte vetëm një makinacion për të më veshur mua përgjegjësi që nuk më takojnë pasi me procesin e deklarimit të pasurisë apo shpenzimeve shëndetësore dhe mjekësore merrej ish-gruaja ime në mirëbesim të plotë duke patur edhe avokatin dhe noteren për këto çështje, por edhe shumicën e pronave.”
Edhe në rastin e emrave të bizsnesmenëve, Meta adresoi akuzë tek Kryemadhi.
“Më duhet të distancohem me neveri nga aludimet dhe insinuatat që bën SPAK-u nga tabulatet e telefonave të sekuestruara ish-bashkëshortes time se unë kam ndikuar në favor të biznesmenit shqiptaro-amerikan, Adrian Shatku dhe kam qenë në dijeni të përfitimeve nga ish-bashkëshortja ime” Meta u distancua nga akuzat për CEZ-DIA, duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me to e po ashtu tha se ai nuk ka dijeni për asnjë shkelje që ka të bëjë me lobimin në SHBA./abcnews.al