Samiti i Ohrit, konkluzionet e takimit të tre liderëve

AKTUALITET


Të dielën u mbajt takimi i dytë për krijimin e Shengenit Ballkanik. Megjithatë, para se Rama, Vuçiç dhe Zaev të flisnin publikisht, se çfarë arritën të diskutonin në samitin e Ohrit, mediat kanë zbardhur disa nga pikat. Sipas “Danas”, që citon kryeministrin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, së pari është arritur që mes tre vendeve të vendoset qarkullimi i lirë i njerëzve vetëm me Kartë Identiteti.

Ky vendim mund të vihet në zbatim para vitit të ri. “Këto janë ndryshime tektonike që do të ndikojnë në tërheqjen e investimeve të huaja direkt sepse investitorët duan stabilitet dhe një treg të madh”, citohet të ketë thënë Vuçiç. Gjithashtu, duket se vendet kanë rënë dakord që e njëjta leje pune të jetë e vlefshme në tre vendet, dhe njohja e kualifikimeve do të unifikohet. “Do të na sjellë dobi sepse kemi probleme me fuqinë punëtore, dhe në të njëjtën kohë të krijojmë mjedis të mirë për investime sepse ne dërgojmë mesazhe stabiliteti dhe lirisë së lëvizjes në një zonë ku jetojnë 12 milionë njerëz”, shprehet Vuçiç.


“Synimi”, tha Vuçiç, “është që nëse hyni në aeroportin e Beogradit të mos keni më nevojë për dokumente speciale për Shqipërinë, askush nuk do t`ju kërkojë dokumente, të kemi sa më pak shkresa dhe probleme kufitare. Kur shkoni në Shkup, nuk do ju pyesim më se si keni ardhur deri këtu”, është një ‘mini Shengen”, tha kryeministri i Serbisë. Megjithatë, pavarësisht vendimeve në Ohër, Aleksandër Vuçiç është i ndërgjegjshëm që pas kësaj marrëveshje të ketë reagime dhe presion. Ndërsa falenderon amerikanët që e kanë mbështetur këtë projekt të tre vendeve të Ballkanit.

Ja disa nga konkluzionet e takimit mes tre liderëve të vendeve të Ballkanit, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

KONKLUZIONE NGA TAKIMI

1.Objektivi i anëtarësimit në Bashkimin Europian mbetet qëllim i Ballkanit Perëndimor, dhe asnjë alternativë tjetër për këtë synim nuk është e zbatueshme për rajonin.

2. Përderisa të gjithë ndajmë vlerat europiane, kemi punë për të bërë drejt sjelljes së standardeve europiane në shoqëritë tona respektive. Si përfundim, ne përsërisim përkushtimin tonë që të implementojmë të gjitha reformat e domosdoshme dhe të arrijmë gradualisht të kemi përafrim të plotë me këto standarde.

3. Ne konfirmojmë që procesi i pranimit është mjeti më i mirë transformues në dispozicion për të siguruar prosperitet dhe progres në shoqëritë tona, por po ashtu sigurues i një konvergjence më strukturore dhe efektive mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor.

4. Në të njëjtën kohë, ne theksojmë se bashkëpunimi rajonal, përfshirë integrimin ekonomik është pjesë integruese e të gjitha përpjekjeve tona për të siguruar progres, prosperitet ekonomik e luftimin e sfidave aktuale; duke kujtuar edhe rëndësinë e shtimit dhe lehtësimit të kontakteve mes njerëzve.

5. Kemi konfirmuar se këto përpjekje shkojnë dorë për dorë me ambiciet tona për anëtarësim në BE.

6. Kemi mirëpritur arritjet e bëra në fushën ekonomike rajonale përmes Planit Shumëvjeçar të Veprimit për krijimin e Zonës Ekonomike Rajonale, si dhe punën që po bëhet aty, por edhe në iniciativat e rëndësishme rajonale, përfshirë RCC-në dhe Ceftan.

7. Kemi theksuar dhe mirëpritur rolin e Procesit të Berlinit si katalizator i rëndësishëm i bashkëpunimit rajonal.

8. Prandaj, jemi pajtuar të përshpejtojmë integrimin rajonal përmes masave tashmë të vendosura në mënyrë që të arrijmë rezultate praktike dhe të dukshme për qytetarët tanë sa më shpejtë që të jetë e mundshme. Për më tepër, jemi të vendosur të sigurojmë se këto masa po implementohen në mirëbesim nga të gjithë ne, brenda strukturave aktuale (për shembull, MAP REA, Cefta, RCC etj).

9. Ne konfirmojmë që kontakti qytetar-qytetar është një hapësirë ku mund të kemi rezultate të shpejta dhe të shohim përfitime të dukshme për qytetarët tanë. Prandaj, ritheksojmë vullnetin tonë që të punojmë me prioritet në arritjen e Marrëveshjes për kalimin e kufijve në rajon me letërnjoftime, ashtu që kjo marrëveshje mund të nënshkruhet gjatë Samitit të ardhshëm të Procesit të Berlinit në verën 2020.




Skip to toolbar