Ministeriali i SEECP në Tiranë, Hasani: Të shqetësuar për tensionet në Lindjen e Mesme!

AKTUALITET


Po mbahet në Tiranë ministeriali i Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore (SEECP), ku Shqipëria përmbyll me sukses presidencën. Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani në fjalën e tij hapëse, tha se ministeriali është një hapësirë politike ku të gjithë kanë zë të barabartë. Hasani theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, si një hap plotësues drejt integrimit në BE.

“Mbetet platformë dhe hapësirë politike ku të gjithë kanë zë të barabartë dhe vizioni ynë politik për rajonin merr formë. Në fakt, gjatë viteve të fundit, bashkëpunimi ynë është bërë më kuptimplotë, strategjik dhe i harmonizuar me politikat e BE, përfshirë planin ekonomik dhe të investimeve, agjendën e gjelbsër dhe planin e rritjes së BE. Është e qartë se bashkëpunimi rajonal nuk është zëvendësues për anëtarësimin në BE, por një hap i nevojshmë plotësues në drejtim të tij, ku krijojmë mundësi për tregtinë, thjeshtojmë lëvizshmërinë për qytetarët tanë, investojmë në energj, ndërlidhje dhe komunikim. Jo vetëm që përgatitemi për BE-në, por formoësojë jetë më të mirë.”, u shpreh Hasani.

Ministri u ndal edhe te bashkëpunimet rajonale të arritura deri më tani.

“Shqipëria ka qenë anëtarë e përkushtuar e këtij procesi. Kemi mbështetur zhvillimin e tregut të përbashkët rajonal si instrument strategjik për të rritur konkurrueshmërinë, tërhequr investimet dhe për t’i sjellë ekonomitë tona më afër tregut evropian. Jemi krenarë për arritje kobnkrete si marrëveshja rajonale roaming, por edhe 5 marrëveshjet e lëvizshmërisë që janë bërë së fundmi në kuadër të procesit të Berlinit.”

Përsëriti sërish ambicien për t’u integruar në BE brenda kësaj dekade. “Shqipëria mbetet e angazhuar në rrugëtimin e  vet transformues, agjenda jonë e reformave nxitet nga angazhimi ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut. Zgjerimi i BE nuk është vetëm një proces politik, por edhe një investim strategjik në stabilitet e paqe për Evropën. Me çeljen e grupkapitujve negociues, Shqipëria është në rrugën e duhur për të çuar përpara anëtarësimin. Synimi ynë është ambicioz por edhe i arritshëm për të çelur deri në fund të këtij viti dhe të përmbyllim negociatat deri në 2027. Po punojmë me vendosshmëri për ta bërë Shqipërinë gati për anëtarësimin e plotë në BE përpara fundit të kësaj dekade.  Ky është objektiv rajonal. Suksesi i fqinjëve tanë është suksesi ynë.”

Komentoi gjithashtu edhe sulmet e fundit Iran-Izrael.

“Ne jemi të shqetësuar nga tensionet e përshkallëzura në Lindjen e Mesme, përballjet e fundit midis Izraelit dhe Iranit, që paraqesin rrezik serioz për stabilitetin më të gjerë rajonal me pasoja globale. Shqipëria rikonfirmon të drejtën e Izraelit për të ruajtur sigurinë e vet dhe për të mbrojtur qytetarët e vet nga kërcënimet. I bëjmë thirrje Iranit që të ndalë aktivitetet e tij bërthamore dhe të raketave balistike. Zhvillimi i armëve bërthamore do të kishte pasoja katastrofike. Shqipëria iu bën thirrje palëve për përmbajtje maksimale dhe të angazhohen në përpjekje diplomatike në uljen e tensioneve. Rruga përpara nuk është e thjeshtë, por të vazhdojmë të punojmë bashkë”, shtoi Hasani.

SEECP përfshin 13 vende pjesëmarrëse: Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Bullgarinë, Kroacinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Malin e Zi, Rumaninë, Serbinë, Slloveninë, Kosovën dhe Turqinë. Si platformë e iniciuar nga vetë vendet e rajonit, SEECP mbetet një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e bashkëpunimit, zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe përgatitjen për integrim të plotë në strukturat evropiane dhe euroatlantike.



Skip to toolbar