Verdikti gjerman: opozitë e papërgjegjshme, por s’ errëson arritjet e Shqipërisë

AKTUALITET


Në një koment për gazetën gjermane, Frankfurter Allgemeine, ministri gjerman e Shtetit për Evropën, Michael Roth është shprehur se papërgjegjshmëria e opozitës nuk duhet të errësojë progresin e vendit.

Roth ka vlerësuar veçanërisht reformën në Drejtësi, ndërsa ka kritikuar opozitën për sjelljen e saj. Sipas Roth opozita në vend që të konkurrojë me ide dhe alternativa në Kuvend, prodhon pamje dramatike.


“Në Shqipëri gjendja, në pamje të parë, duket më e komplikuar. Kjo lidhet para së gjithash me faktin që opozita ia del gjithnjë të prodhojë pamje dramatike – në vend që  të matet në mënyrë konstruktive me qeverinë në kontekstin e një konkurrimi politik idesh në parlament, të cilin aktualisht e ka bojkotuar. Por kjo politikë e papërgjegjshme obstruksioniste nuk duhet të errësojë gjithë sa vendi ka arritur.  Në kuadër të reformës në drejtësi, përmes një procesi deri më tani unik në mbarë botën – shoqëruar nga ekspertë evropianë – është duke u verifikuar integriteti i të gjithë gjykatësve dhe prokurorëve. Rreth dy të tretat e subjekteve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese të verifikuar deri më tani nuk e kanë kaluar me sukses këtë test. Ata janë larguar në mënyrë konsekuente nga postet e tyre, të cilat janë duke u plotësuar hap pas hapi. Organet shqiptare të sigurisë – policia dhe strukturat e mbrojtjes së kufirit – bashkëpunojnë shumë ngushtë dhe mirë me autoritetet  gjermane, austriake dhe italiane, e që prej pak kohësh edhe me Agjencinë e BE-së për Mbrojtjen e Kufirit FRONTEX. Shqipëria ka bërë një pjesë të mirë të rrugës në udhëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian; veç të tjerash ajo është  anëtare e NATO-s që prej vitit 2009”, është shprehur Roth i cili bën apel që Shqipëria të nisë sa më parë negociatat për anëtarësim në BE.

“Stabilizimi dhe përfshirja e rajonit është në interesin evropian, e para së gjithash në atë gjerman. Në fund të ditës Ballkani Perëndimor është atriumi i shtëpisë evropiane. Situata e këtyre vendeve, që shtrihen në mes të Evropës, rrethuar plotësisht nga shtete të BE-së, na prek drejt për së drejti. Nëse BE i kthen shpinën këtij rajoni, do të vinte në rrezik zhvillimet pozitive dhe do t’ua linte fushën aktorëve të tjerë si Rusia, Kina apo Turqia. Dhe që Bashkimi evropian të humbë ndikim në mënyrë të vazhdueshme në Ballkanin Perëndimor, kjo nuk mund të jetë në interesin tonë.  Suksesi në politikën e jashtme të Bashkimit Evropian përcaktohet para së gjithash prej faktit, nëse ne do të mund të paqëstojmë, stabilizojmë dhe demokratizojmë Evropën në mënyrë të qëndrueshme. Për këtë qëllim duhet të veprojmë duke vështruar para, me urtësi dhe kurajo”, shprehet Roth.




Skip to toolbar