Di Maio premton konferencë donatorësh: Do ju ndihmojmë me rindërtimin

AKTUALITET


Ministri i Jashtëm italian Luigi Di Maio ka parë nga afër dëmet e shkaktuara nga tërmeti në zonën e Vorës ku është shoqëruar nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhe nga ku ka premtuar se qeveria italiane do të organizojë konferencë donatorësh për të mbledhur fonde në ndihmë të Shqipërisë. Gjatë vizitës së tij në Vorë, Luigi Di Maio ka marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes së dhurimit të materialeve të nevojshme të shpëtimit për të përballuar katastrofat dhe situatat e emergjencës të dhuruara nga Emergjencat Civile italiane.

Ministri i Jashtëm Luigi Di Maio duke folur me gazetarët tha se Italia do të bëjë çdo përpjekje për të ndihmuar Shqipërinë.


“Prania ime sot këtu përbën një dëshmi të afërsisë së qeverisë italiane me popullin shqiptar pas tërmetit të fundit të muajit të kaluar. Afërsia e qeverisë italiane është dëshmuar edhe nëpërmjet pranisë së emergjencave civile edhe forcave zjarrfikëse. Këtë e dëshmon edhe ky kamp me tenda që është dhuruar nga qeveria italiane. Teksa i shpreh edhe njëherë ngushëllimet për viktimat e tërmetit të muajit të kaluar, theksoj se po ndihmojmë edhe në vlerësimin e dëmeve dhe në bazë të tyre do të japim ndihmën tonë për të ndihmuar në përballimin me sukses të kësaj situate. Një përqafim edhe për familjarët e viktimave të tërmetit. Populli italian është pranë popullit shqiptar sepse i lidh një miqësi e fortë. Italia është në linjën e parë që mbështet fuqimisht Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE. Dhe integrimi në BE i Shqipërisë mund t’i japë mundësi sipërmarrjeve tona këtu të rriten dhe duke ofruar kështu mundësi të reja punësimi por edhe për rritjen ekonomike të vendit. BE në mënyrë të natyrshme duhet të bëjë pjesë të saj Shqipërinë dhe Maqedoninë. Ne do e mbështesim këtë edhe ndaj atyre vendeve që nuk janë pro zgjerimit të BE dhe po e pengojnë zgjerimin e BE”, u shpreh Di Maio.

Ministri Italian gjatë ditës do të takohet me Presidentin Ilir Meta dhe me Kryeministrin Edi Rama, ndërsa më pas do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp me kreun e qeverisë




Skip to toolbar