Ministria e Mbrojtjes sqaron pse ministri grek Dendias nuk mori pjesë në inagurimin e bazës ajrore në Kuçovë

AKTUALITET


Ministria e Mbrojtjes sqaron pse ministri grek Dendias nuk mori pjesë Media greke “Kathimerini”, dy ditë më parë, publikoi një shkrim ku deklaronte se Shqipëria nuk e kishte ftuar Greqinë në ceremoninë e hapjes së bazës ajrore të NATO-s në Kuçovë.

Në këtë shkrim të datës 7 mars 2024, thuhej ndër të tjera se ky veprim tregon për marrëdhëniet e dy vendeve dhe ‘tronditjen’ e shkaktuar pas dënimit të Fredi Belerit.

Por pas këtij shkrimi, Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka reaguar duke hedhur poshtë këtë deklaratë dhe duke pohuar se ftesa nga pala shqiptare drejtuar asaj greke, është dërguar në datën 29 janar 2024.

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë, zbulon se ministri grek e kishte pasur të pamundur të merrte pjesë në 4 mars për shkak të angazhimeve të paracaktuara dhe se në vend të tij morën pjesë zyrtarë të lartë nga ambasada e vendit fqinj.

“Shqipëria dhe Greqia gëzojnë një nivel shumë të mirë bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si aleatë të përkushtuar të NATO-s. Jemi mirënjohës ndaj Greqisë (dhe Italisë) që për vite me radhë kanë kryer Policimin Ajror për vendin tonë.

Me të njëjtën qëllim, më 29 janar, Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë dërgoi një ftesë zyrtare homologut të tij grek për të bërë një vizitë zyrtare në Shqipëri, që përkonte në të njëjtën kohë me ceremoninë e inagurimit të Bazës Taktike Ajrore të Kuçovës.

Më 14 shkurt, morëm përgjigjen se për shkak të angazhimeve të paracaktuara, Ministri i Mbrojtjes Dendias nuk do të mund të merrte pjesë në ceremoninë e 4 marsit. Në vend të tij, zyrtarë të lartë nga Ambasada e Greqisë në Tiranë morën pjesë në këtë ceremoni.

Jemi të keqardhur për lajme të tilla që nuk pasqyrojnë të vërtetën dhe realitetin në lidhje me bashkëpunimin tonë me shtetin tonë fqinj, Greqinë dhe që nxisin keqkuptime mes dy vendeve tona mike”, thuhet në reagimin e ministrisë së Mbrojtes për artikullin e mediave greke.



Skip to toolbar