Minxhozi: Duhet të jemi bashkë në këto kohë të turbullta

Më të fundit


Forca e një zinxhiri është e barbartë me rezistencën e hallkës së tij më të dobët. Askund tjetër kjo shprehje e vjetër nuk duket më e vërtetë dhe më e gjetur, sesa në panoramën e aktuale të Ballkanit Perëndimor. Një cope të vogël harte të kontinentit evropian, ku aspiratat, shpresat, ëndrrat dhe e ardhmja, rrinë të miskuara me riskun e konflikteve dhe efektin gërryes të urrejtjes e konflikteve historike.

Pak javë më parë Ballkani Perëndimor u ngrit në qiellin e shtatë, kur në Tiranë zbarkuan të gjithë liderët e Bashkimit Evropian për të dhënë një mesazh të fortë mbështetje për shqiptarët, serbët, boshnjakët, malazezët e maqedonasit. Pak ditë më vonë, strategjia e verbër e tensionit e frymëzuar nga Rusia dhe e zbatuar nga Serbia, futi në krizë çdo shpresë rozë për një Ballkan Perëndimor në harmoni dhe të projektuar drejt paqes e sigurisë së qëndrueshme.


Hallka e dobët e zinxhirit, kufiri Kosovë-Serbi, po bën të heshtin edhe më entuziastët. Edhe ata që si Edi Rama në Tiranë e Aleksandër Vuçiç në Beograd apo më tej krerët politikë të Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut, nuk pushonin së predikuari se një Ballkan i Hapur ishte jo vetëm i mundshëm, por ishte e vetmja zgjidhje. Vuçiç po ju mëson kolegëve të tij edhe një herë më tepër se arti i politikës bashkëjeton prej shekujsh me artin e gënjeshtrës. Ballkani i Hapur u mbyll në kasafortë me topat ofensivë dhe njësitë speciale të ushtrisë që Serbia dërgoi në kufirin me Kosovën. Më mirë një leksion realizmi, sado i vonuar qoftë!

Kriza e fundit serbo-kosovare i sheh edhe një herë shqiptarët në rreshtin e parë të një konfrontimi që s’e kanë kërkuar vetë. Prej muajsh ata janë të rreshtuar në dy vizione të ndryshme në lidhje me qasjen ndaj të ardhmes së Ballkanit Perëndimor në tërësi dhe ndaj marrëdhënieve me Serbinë në veçanti. Rama ka synuar që të ndërtojë një urë të qëndrueshme bashkëpunimi me Serbinë, sipas një koncepti që bazohet tek pashmangshmëria e lënies pas të mërive dhe problemeve historike, në kuadër të integrimit evropian. Kurti dhe politikanë të tjerë kosovarë mendojne ndryshe. Duket se lufta në Ukrainë me efektet e saj kaskadë, ka prodhuar një situatë tensioni të lartë mes Beogradit dhe Prishtinës. E kjo prek drejtpërdrejt qasjen zyrtare të Tiranës ndaj hapjes së shpejtuar me fqinjët, por edhe qëndrimin ndaj kësaj krize të vjetër dhe të re kosovaro-serbe.

Lidershipi dallohet edhe në kohë krize, e jo vetëm në raste prerjeje shiritash e samite. Madje, ai dallohet kryesisht në vështirësi dhe sfida si kjo e sotmja në kufirin mes serbëve e shqiptarëve. Më të rrezikshmin e kufinjve shtetërorë të Evropës së sotme, po të heqim Ukrainën dhe Rusinë. Shqipërisë dhe qeverisë së saj i takon të luajnë një rol aktiv edhe në këtë situatë potencialisht eksplozive, duke evituar heshtjen dhe pasivitetin. Nuk mund të çojmë as policë dhe as ushtarë në Kosovë, siç thonë disa koka të nxehta pa tru brenda. Por mund të jemi në rreshtin e parë të ofensivës diplomatike për evitimin e më të keqes, ashtu siç kemi qenë aktivë mes ballkanasish në kohë paqeje.

Natyrisht që amerikanët janë aty megjithë bazën e tyre të fuqishme ushtarake në Ferizaj, natyrisht që evropianët po ushtrojnë presion të vazhduar mbi kokat e nxehta të Beogradit. Natyrisht që edhe kjo situatë nxitet e maiset edhe nga hija e rëndë ruse mbi Ballkan, duke u përdorur si një monedhë shkëmbimi në distancë për atë që ndodh në luftën ukrainase.

Por është gjithaq e natyrshme dhe e nevojshme që vendet e Ballkanit Perëndimor, më të parat që janë të interesuara për paqen e sigurinë e tyre, të flasin e të lëvizin. Jo të presin me sytë nga armët amerikane. Evropa e sotme është treguar shpesh e butë me serbët. I toleron ata duke ju mëshuar trysnisë mbi kosovarët. Di diçka për këtë gjë Hashim Thaçi e shokët e tij të luftës në Hagë në këto kohë. Kjo balancë e shprishur që vjen nga kompleksi i fajit që evropianët vijojnë të kenë pas bombardimit të Beogradit në vitin 1999, na thotë se ne shqiptarët duhet të jemi bashkë dhe më të unifikuar se kurrë në këto momente sfiduese. Nuk është një retorikë boshe, por një detaj që mund të bëjë dallimin e madh në këtë përballje në distancë me kokat e nxehta serbe.

Kosova ka bërë shumë në muajt e fundit që kriza me Serbinë të mos marrë përmasat e bllokimit masiv të rrugëve në Veri, e boshatisjes së dhunshme të institucioneve nga kriminelë serbë që gjezdisin të pashqetësuar nëpër gjithë zonën. Prishtina ka bërë jo pak që të shmangen kërcënimet për luftë, të cilave ju fryn nga mëngjesi në darkë propoganda serbe. Qeveria kosovare ka bërë hapa frenues për targat, për zgjedhjet në komunat serbe, deri edhe për zbutjen e arrestit të kryepolicit serb të Kosovës Dejan Pantiç që shihet si njeriu që ngriti barrikadat nëpër rrugët e Veriut të Kosovës. Kosova është pa faj në këtë situatë të krijuar nga lëkundjet sizmike të një lufte që konsumohet mijëra kilometra larg, e që trazon aleatin e vetëm të Putinit në Evropë që banon në Beograd dhe që luan me barrikadat e rrugëve dhe bandat e krimit si fëmija tekanjoz me lodrat. Çdo interpretim i ndryshëm i kësaj që po ndodh është rastin më të mirë naivitet e miopi politike.




Skip to toolbar