Minxhozi: “Intifada” e tretë e opozitës, njëlloj si dy të parat

Më të fundit


Nga Skënder Minxhozi/

Opozita për pak minuta e pa veten “në pushtet” sot, kur deputetët e saj u ngjitën në poltronat bosh të qeverisë në Kuvend, pas një seance e cila nuk filloi kurrë për shkak të zhurmës, sharjeve e konfrontimit. Megjithatë simbolika e këtij akti fillon e mbaron brenda ditës së enjte dhe shënon fitoren individuale të Sali Berishës mbi pjesën e vogël të mbetur të moderuar deputetëve demokratë, që ende kërkojnë largimin e tij, si parakusht për hapjen e partisë dhe ngritjen e opozitës.


Fitoi fryma ekstreme e Doktorit, ashtu siç në 2017 fitonte fryma e skajshme e Çadrës së famshme dhe siç do shfaqej vrullshëm dy vjet më vonë fryma e braktisjes së institucioneve duke dorëzuar mandatet. Të dyja këto sjellje “çartiste” dihet se ç’prodhuan dhe janë një kujtesë traumatike se edhe kjo “Intifadë” e tretë e opozitës mund të bjerë shumë shpejt. Nëse ka një leksion afatgjatë dhe të vlefshëm që politika shqiptare na ka dhënë, është ai i evitimit të sjelljeve agresive, pasi ato prishin më shumë se rregullojnë punë për autorët e tyre. Instikti i përplasjes që Berisha e ka historikisht në ADN e tij politike, jo vetëm shënon një relike që duhet arshivuar, por është provuar se nuk t’i shton votat dhe nuk të sjell në pushtet.

Me gjysëm milioni vota që morën në 14 maj përmes kësaj fryme konflikti, Berisha dhe Meta e konfirmuan pamundësinë e tyre matematike që të vijnë në pushtet. Ka pak gjasa që edhe kjo revoltë e fundit brenda pallatit (meqë ra fjala, pse nuk mblodhën 200 mijë veta në shesh, por luftojnë me karriget në Kuvend?!), të shtojë diçka në thesin e votave të opozitës.

E thënë kjo, opozita ka të drejtën e saj mëse legjitime që të reklamojë atë që i takon, si intitucion i pazëvendësueshëm i demokracisë. Edi Rama ka krijuar një stil drejtimi të bazuar në vetëgisurinë dhe imponimin, në postin që mban dhe pushtetin që ushtron. Dëgjon pak ose aspak, vendos vetëm vetë për gjithçka dhe i ka dhënë një peshë ekzekutivit që dukshëm ka futur në hije legjislativin. I cili është me ligj dhe kushtetutë intitucioni lider në këtë vend. Hetimi parlamentar, llogaridhënia e ministrave, si dhe të drejtat e tjera të opozitës janë barometri që tregon shëndetin e të gjithë demokracisë shqiptare.

Këta që sot sulmojnë karriget bosh të ministrave dhe kërcënojnë me djegie të Kuvendit, kanë kultivuar dikur kur qeverisnin, njërin ndër modelet më të dhunshme e të njëanshme të parlamentarizmit. Edhe atëhere ishte e pamundur të hetoje qeverinë, edhe atëhere mbizotëronte dhuna e kartonit dhe arbitrariteti, të sintetizuara në mënyrë perfekte në frazën e vrazhdtë të Jozefina Topallit drejtuar një deputeti të opozitës “kapeni prej zhelesh e nxirreni jashtë”!

Maxhoranca aktuale nuk duhet të shihet më në këtë lloj pasqyre. Ajo nuk mund dhe nuk duhet të fshihet më pas Sali Berishës. Nuk është ky modeli që duhet të frymëzojë këtë shumicë që dikur ka vuajtur jo pak nga dhuna e pushtetit. Formalisht socialistët kapen pas figurës së Doktorit, duke e ditur se në një rrethanë të tillë do të kenë pas shpine heshtjen aprovuese të amerikanëve dhe evropianëve, sado larg të shkojë konflikti politik mes palëve.

Por ky lloj rrethi vicioz nuk i bën mirë demokracisë, e cila bazohet mbi garën, konfrontimin e ideve dhe kontrollin e balancën e institucioneve. Përtej verbërisë së një pjese të opozitës për t’u bashkuar me të shkuarën dhe për të neglizhuar kësisoj të tashmen e të ardhmen e opozitës shqiptare, shteti duhet të funksionojë normalisht. Kur sherri politik merr me vete institucionet dhe ligjin, normaliteti demokratik është ai që e pëson i pari.




Skip to toolbar