Minxhozi: Kjo është gërmadha politike e Sali Berishës

Më të fundit


Partia Demokratike e hapi dhe po e mbyll me sherr vitin kalendarik 2022. Pasi u kacafytën në muret e selisë së partisë në 8 janar duke përdorur edhe shkallët e zjarrfikësave, hunjtë dhe gjithë çfarë u erdhi për dore, deputetët demokratë për pak sa nuk e shndërruan dje edhe sallën e Kuvendit në një shesh rrahjeje publike. Këtë herë jo me krahun e majtë, por mes vetes.

Debati se kujt i përket një pjesë e deputetëve të opozitës, Partisë Demokratike apo grupit të të pavarurve, është një temë e vjetër sa edhe karriera e ringjallur e Sali Berishës në krye të partisë. Është ky rikthim që ka krijuar frakturën që e vuajnë edhe sot, nga demokrati më i thjeshtë në një fshat të Ersekës, deri tek ligjvënësit e PD që rrinë afër në Parlament, por nuk flasin me njëri-tjetrin.


Dje ata për pak u përplasën fizikisht pikërisht për shkak të ndarjes së thellë që ka shkaktuar në parti rikthimi i Doktorit. Qe një skenë për të ardhur keq dhe një mesazh tejet negativ për të gjithë shqiptarët që përgatiten të votojnë pranverën e ardhshme për 61 bashkitë e vendit.

Ditë më parë një koleg gazetar e krahasoi Enkelejd Alibeajn me Hysni Milloshin, duke evokuar rolin që ky i fundit pati në zgjedhjet bashkiake të Tiranës në vitin 2011, kur pak mijëra vota të komunistëve bënë që Lulzim Basha të fitojë me trukim zgjedhjet në fund të procesit. Ky interpretim thotë se meqë qeveria ka blerë disa krerë politikë, opozita s’po mundet të ngrejë kryet.

Nëse nuk është e vërtetë, është gjetje e bukur, thotë proverbi në raste të tilla. Dhe ja sepse kjo çeshtje është më e komplikuar sesa një dorovitje e Edi Ramës për Bashën apo Alibeajn:

Sali Berisha është kryetari i vërtetë i familjes demokrate në momentin aktual. Nuk ka ndonjë arsye për të besuar të kundërtën, përveçse që Doktori kontrollon sot masën më të madhe të anëtarëve e simpatizantëve të Partisë Demokratike.

Si zot shtëpie, i takonte pra atij dhe vetëm atij që të niste një proces shërimi, pajtimi e përbashkimi me palën e mbetur jetime pas ikjes së Lulit. I takonte atij të konfirmonte se PD e drejtonte ai dhe jo qeveria me Edi Ramën. Berisha ka pasur plot kohë që të bëjë atë që bëri në 2005. Në vitin e rikthimit të madh kur bindi t’i bashkoheshin, edhe ata që dikur i kishte rrahur rrrugëve, apo i kishte hedhur si lecka jashtë PD. Në emër të atij precedenti Berisha duhet të bënte shumë më shumë dhe shumë më mirë se ç’po bën!

Në këto muaj në rradhët e Rithemelimit ka pasur shumë retorikë që evokonte vitin 2005, duke e parë rikthimin e Doktorit në krye të partisë si një shenjë thuajse hyjnore fati, për një fitore të dytë të përmasave të ngjashme me atë të 17 viteve më parë.

Asgjë e tillë nuk ndodhi. PD vegjeton sot në amullinë dhe kaosin më total dhe sqetësues. E për t’ju kthyer krahasimit të Alibeajt me Milloshin, nuk ka qenë faji i Edi Ramës pse një pjesë e madhe e elektoratit, por edhe e strukturave të PD, vijojnë ta shohin me dyshim faktin që sfida aktuale e Sali Berishës nuk ka si epiqendër kthimin e partisë në pushtet, por betejën e tij personale me SHBA dhe Britaninë e Madhe e të tjerët.

Nëse Rama paska blerë Lulin, Alibeajn dhe një dhjetë të tjerë rrotull tyre, si i bëhet që në të gjitha sondazhet e opinionit publik del e qartë si drita e diellit që Berisha nuk po jetëson një projekt politik që do ta bëjë opozitën fituese në zgjedhjet e ardhshme?! Si i bëhet që ka shifra të ngjashme me Bashën? Si i bëhet që fryma aq e pritshme dhe e dëshëruar në PD për rrëzimin e afërt të Ramës, nuk po duket në horizont? Si ta shpjegojmë që dallga e paralajmëruar qysh në korrik e protestave të vjeshtës, erdhi e iku dhe s’e pa askush?! Si t’ia shpjegosh sot shqiptarëve që në ditën e Samitit, kur u godit nga Shehu, Berishën dhe Metën i prisnin mbi urën e Lanës pak qindra veta, ndërkohë që kishin premtuar protestën më të madhe të mbajtur ndonjëherë?

Të fokusohesh vetëm tek varianti “qeveritar” apo “monetar” i krizës që po kalon sot opozita, do të thotë të refuzosh të kuptosh se epiqendra e problemit të mosbashkimit të të gjitha korenteve e grupimeve në PD është kryetari de facto i opozitës. Duke identifikuar Ramën, Alibeajn apo Bashën si shkakun madhor të sëmundjes që kalon PD, këtyre të treve po ju bëhet indirekt në nder jo i vogël e që s’e meritojnë. Pasi po konfirmohet kështu se këta persona qënkan ende me shumë influencë dhe peshë në vendimmarrjet e opozitës, ndërkohë që gjithë ditën thuhet e kundërta. Të paktën për Lulin dhe Alibeajn.

PD e sotme është gërmadha politike e Sali Berishës, të cilit i ka dështuar projekti i ribashkimit të partisë nën skeptrin e tij. Viti 2022 nuk qe viti 2005! Është Doktori që nuk bind me sfidën personale të mbretërimit të përjetshëm, është ai që nuk arrin dot të shpjegojë sesi mund të jesh njeheresh edhe kryetar i të djathtës edhe antiamerikan. Enkelejd Alibeaj është shumë i pafuqishëm që të mbajë të ndarë një parti si PD dhe qindra mijë votuesit e saj. I tillë është dhe Basha, u provua në tetë vjet se çfarë që në gjendje të katranoste. Përçarësi i madh i opozitës është Sali Berisha që po krijon një PD vërtet më agresive dhe më të zhurmshme, por edhe më të ndarë dhe më të vogël në numër dhe peshë politike. Që do të thotë, jofitimtare në fund të rrugës…




Skip to toolbar