Minxhozi: Në rresht për një pas Doktorit…dhe në opozitë të përjetshme

Më të fundit


Nga Skënder Minxhozi/

Kuvendi i dy dhjetorit qe një vitrinë e plotë familjare për Sali Berishën, në vend që të ishte formati i duhur për të reflektuar me realizëm dhe përgjegjësi për rrugën pa krye ku ka hyrë sot opozita shqiptare. U rikonfirmua, nëse kishte nevojë për diçka të tillë, që kjo pjesë e PD është transformuar plotësisht në platformë banale për menaxhimin e problemeve personale të kryetarit, në vend që të ofrohet tek shqiptarët si një propozim qeverisjeje. Kjo është forca e vërtetë lëvizëse që motivon sot fraksionin e Rithemelimit, e që paketohet për maskim me disa karrige të përmbysura dhe tymuese në parlament. Ai që shitet si një kurs i ri opozitar nuk ka nxjerrë shtëpia as edhe një protestues të vetëm deri më sot, por arrin të mbledhë vetëm burokratët e Foltores, siç u pa edhe dje në Pallatin e Kongreseve, pas shumë javësh përgatitjeje.

Tashmë motoja e vetme e Rithemelimit, është shpëtimi me çdo kusht i Berishës nga problemi i dyfishtë që ka me drejtësinë dhe Amerikën. Megjithëse e shohin që linja e “fortë” e Doktorit po jep rezultate më të dobëta se linja e Bashës, grupi i deputetëve servilë të Rithemelimit bëjnë sikur nuk e kuptojnë se rreshtimi pas betejës personale të Berishës vetëm sa do e rrënojë edhe më tej opozitën në javët e muajt që vijnë. Një dyzinë burrash presin mandatin e ardhshëm të deputetit dhe ditën kur Doktori të vendosë largimin, duke lënë njërin prej tyre në zyrën e kryetarit. Kaq arrijnë të planifikojnë, të tjerat nuk ju duhen. Madje as fakti që Rama përgatitet për të marrë i qetë mandatin e katërt pasi të ketë konsumuar këtë që ka në duar.

Kuvendi i rikonfirmimit formal të Sali Berishës dha përgjigjet më të gabuara të imagjinueshme për të ardhmen e Rithemelimit dhe të opozitës në përgjithësi, duke e vënë de facto këtë të fundit në rresht pas familjes Berisha dhe fatit të saj të paqartë. Votoi me shumicë “komuniste” rikonfirmimin e Doktorit në krye të partisë, i dha edhe më tej hov fjalëve për një hyrje në politikën aktive të vajzës së tij (edhe ajo e shpallur non grata nga SHBA), si dhe shmangu çdo analizë serioze për gjendjen dramatike ku ndodhet sot opozita, duke e shpenzuar qeranë e majme të Pallatit të Kongreseve për një shou servilizmi, e jo për të diskutuar fatin e demokratëve pas dhjetë vjetësh qëndrimi në opozitë.

Në retorikën boshe e hipokrite të hapjes dhe rifreskimit të PD, ky spektakël thellësisht antihistorik i grupimit rreth familjes biologjike të kryetarit, tingëllon diametralisht i kundërt me nevojën reale dhe urgjente të ndryshimit që ka sot opozita shqiptare.

Nuk ka pasur asnjë iluzion se Berisha i merr votat e asaj salle gjysem të mbushur, sa herë që t’ja kërkojë interesi dhe momenti. Pasi ka humbur rreth një çerek milioni vota në maj, krahasuar me zgjedhjet e fundit politike të vitit 2021, Sali Berisha po e përjeton i qetë dhe pa dramë faktin se ndodhet në krye të një fraksioni politik që nuk ofron asnjë perspektivë për rikthim në pushtet. Prej muajsh përtyp të njëjtat kërcënime për vërshime demokratësh dhe përmbysje të qeverisë me çdo mjet, ndërkohë që sheshet mbeten bosh dhe oborri i PD i ngjan një parkingu makinash, e jo një arene revolucionarësh.

Kuvendi i djeshëm konfirmoi se kjo gjendje tashmë është pranuar në heshtje dhe se i zoti i shtëpisë nuk ka ndonjë ankesë. Mjafton që “kisha” e tij e Pallatit të Kongreseve ta votojë në kor atë sa herë që të jetë në hall.



Skip to toolbar