Minxhozi: Një apel 30 vjet i vonuar

Më të fundit


Nga Skënder Minxhozi/

Ka një liturgji tridhjetëvjeçare në politikën shqiptare, e cila ka sunduar e paprekur që nga vitit 1991. Një liturgji që thotë se kur vjen fjala tek ajo që ka ndodhur në këtë vend në kapërcyellin e viteve 80-90 dhe në dekadën që pasoi rënien e sistemit totalitar. Sipas këtij koncepti, gjithçka duhet konsideruar e mirë absolute, e panegociueshme, thuajse e shenjtë. Identifikohet në mënyrë hileqare rrëzimi i komunizmit si akt, me proceset kaotike që e pasuan. Rënia e diktaturës qe padyshim një akt liberator dhe pozitiv, por a qenë të tilla edhe efektet ekonomike e sociale që prodhoi ky moment historik për Shqipërinë në vitet që pasuan?!


Kur vjen puna për të dalluar nuancat që prodhoi në të gjitha nivelet shoqërore kalimi nga komunizmi totalitar i Enver Hoxhës, në kapitalizmin e rrëmujshëm dhe të improvizuar të Sali Berishës (92-97), ndarja vjen e bëhet thellësisht ideologjike. Zhduket arsyeja e ftohtë, vizioni i qetë dhe objektiv që duhet pasur nga lartësia e viteve që kanë kaluar. Ende sot nën shtëpinë e Berishës dëgjohet thirrja sa naive, aq edhe budallaqe “Poshtë komunizmi”. A thua se nuk e dinë se tashmë ky vend s’ka më komunistë, por vetëm burra të mirë dhe të ligj!

Spartak Ngjela ka marrë përsipër ta bëjë këtë dallim, duke bërë thirrje publike që të hetohet shkatërrimi i pasurisë kombëtare në vitet 92-96. Ngjela është një nga personazhet më jetëgjatë në politikën, mediat dhe publicistikën shqiptare. Është gjithashtu një nga politikanët e juristët më të pavarur, të drejtpërdrejtë dhe kontroversë në sheshin publik shqiptar. Kalvari personal i kaluar në burgjet e komunizmit i jep atij mundësinë dhe avantazhin moral që të thotë disa të vërteta të cilat të tjerët nuk kanë guximin t’i thonë hapur.

Dalja e tij kohët e fundit me thirrje të vazhdueshme për një reflektim të thellë në lidhje me atë që ka ndodhur me pasurinë kombëtare pas rënies së komunizmit, është një një thirrje e cila duhej dëgjuar shumë kohë më parë dhe rreth të cilës duhet të kishte një reflektim shumë më të qetë dhe të pangjyrosur nga qëndrimet politike të ditës apo dhe nga ideologjitë.

Ky apel fton për më shumë kthjelltësi pas 3 dekadash e gjysëm nga rënia komunizmit, në lidhje me atë që i kemi bërë pasurisë tonë kombëtare. Ai është një apel që na shtyn dhe na motivon që të kemi një qasje tjetër ndaj asaj që kemi bërë mirë dhe keq në liri dhe në demokracinë ku hymë paas vitit 1990.

Pasuria kombëtare është produkti dhe shumatorja e përpjekjeve dhjetëravjeçare në shumë sisteme ekonomike e sociale, e jo vetëm në atë komunist apo në këtë sotmin. Ajo është inventari historik i asaj ç’kemi krijuar me shumë mund e sakrifica në çdo kohë dhe epokë dhe nuk lidhet me meritat e një kaste politike sic qe ajo e komunizmit totalitar.

Pasuria kombëtare është rezultantja e maturimit e investimit të përpjekjeve gjigande që kanë bërë shqiptarët për afirmim e progres që nga momenti që krijuan shtetin, por edhe më herët se kaq. Prandaj akte shkatërrimtare si ato që sollen me vete vitet ’90 për Shqipërinë, kërkojnë një reflektim të të gjithëve, larg stemave dhe ngjyrave partiake. Më shumë përgjegjshmëri për të kuptuar çkemi bërë keq në të shkuarën, që të mos vazhdojmë ta bëjmë keq sot dhe në të ardhmen!

Në një kuptim të ngushtë të tranzicionit postkomunisst, sjellja me fondin ekonomik të trashëguar nga komunizmi lidhet në mënyrë direkte me papërgjegjshmërinë që po tregojmë edhe sot me gjithçka që konsiderohet publike. Dominimi i privates mbi publiken është një provë materiale e konceptit se çdo gjë e përbashkët ka mbi vete një damkë, është e keqe dhe e dëmshme, prandaj edhe duhet shkatërruar, tjetërsuar, privatizuar (mundësisht me çmimin më të ulët, për mikun më të afërt)! Të majtë dhe të djathtë ndajnë opsione identike në këtë aspekt, duke bërë garë se kush tregohet më “kapitalist”. Një teatër banal “oksidentalësh” falsë.

Qeverisja artizanale e viteve 92-96 bëri që të zhdukeshin nga faqja dheut shumë asete ekonomike dhe investime gjigande në arsim, shëndetësi, bujqësi, nxjerrje mineralesh e nafte, infrastrukturë etj. Na ofroi piramidat ndërsa na premtonte lirinë e tregut, na dha kaosin e vitit ’97 ndërsa na premtonte një demokraci liberale dhe që ofronte shanse për të gjithë.

Kjo prodhoi një sistem ekonomik e social ku s’ka thuajse asgjë publike. Një sistem ku shteti vetëm emeton copa letrash, licensash dhe të drejtash mbi territorin, shërbimet, ekonominë, ambjentin e të tjerat. Duke hequr dorë nga roli i pazëvendësueshëm i arbitrit që siguron respektim rregullash e ligjesh, por edhe që përpunon vizionin e zhvillimit e progresit për të gjithë vendin.

Sot po investohen fjala vjen miliona euro në ndërtime serash,  mbjellje fidanësh, sistemim tokash, drenazhime e argjinatura, por harrohet se dikur në Shqipërinë komuniste populli shqiptar me mundin e vet të skajshëm, që fillonte tek nxënësit e shkollave, studentët, vullnetarët e deri tek të dënuarit politikë e të burgosurit ordinerë, kanë ndërtuar me duart e tyre taraca e vepra ujitjeje, që për përmasat e Shqipërisë kanë qenë thjesht faraonike.

E gjithë kjo infrastrukturë pas vitit 90 ose u zhduk, ose u tjetërsua duke u etiketuar në mënyrën më idiote si “komuniste”!

Sot kemi shumë pritshmëri për naftën e Shpiragut, flasim ende shumë për kromin shqiptar dhe deri edhe për hidrogjenin që gjendet thellë në masivet e Bulqizës, por edhe këto pasuri u ridimensionuan (kupto u grabitën!) pas viteve 90. Ku shkoi qymyri shqiptar? Ku është sot kromi i ndarë e i copëzuar nga mafiet lokale? Po nafta si është shfrytëzuar në tre dekadat e fundit, me koncesionet grabitqare të cilat kanë dhënë 1 lek dhe kanë marrë 9 për ta çuar jashtë vendit?!

Në një dekadë marrëzie kolektive, duke nisur nga viti 92 baza industriale u vendit u plaçkit në mënyrën më harbute. Gjithçkaje që ishte ndërtuar ju vunë epitetet më vulgare, a thua se hekurat kishin teserë partie në xhep! Askush nuk mendoi qoftë edhe për një çast të vetëm sesi mund të modernizohej qoftë edhe pjeserisht ky fond i madh objektesh industriale e bujqësore.

U kthyem kështu në një popull që e mbanin emigrantët dhe fajdet, e më vonë bastet e bixhozi, ndërkohë që fabrikat dhe uzinat e këtij vendi i shkatërruam duke lënë njerëzit papunë, e duke e shkrirë gjithë këtë pasuri të madhe kombëtare për skrap.

Koncepti i terapisë së shokut, siç quhej në vitet ’90 nga dishepujt e vitit zero, nuk shtrihet vetëm në dekadën e Berishës së Parë. Ai ka qenë dhe është tipar dallues dhe mënyrë të menduari, pak a shumë, e të gjithë klasës politike, majtas dhe djathtas. Një klase politike që për arsyet e veta propogandistike diabolizoi gjithçka u trashëgua nga e shkuara.

Edhe socialistët e sotëm, kanë ndjekur paradigmën e shngjyrosjes, duke i ikur një të shkuare ku edhe hekurat e uzinave dhe kanalet anash arave  po “paguanin” si të ishin anëtarë të Byrosë Politike të PPSH.

Kemi shtypur një buton dikur para 33 vjetësh për ta çuar në zero ekonominë kombëtare dhe për të sabotuar e bërë lëmsh pronën e pronarët dhe ende po endemi kënetave të tranzicionit pa ditur si të dalim në rrugën e drejtë të zhvillimit të demokracisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm. Ky është morali fabulës tonë 33 vjeçare.




Skip to toolbar