Minxhozi: Që “Dick Marty” të mos arshivohet edhe një herë tjetër si 11 vitet e fundit

Më të fundit


Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla i ka dërguar një letër homologëve të saj kryeparlamentarë të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, në lidhje me sensibilizimin ndaj raportit të vitit 2011 të Dick Marty. Ditë më parë kryeministri Rama mbajti një fjalim në Asamblenë Parlamentare të KE në Strasburg, i cili krijoi valë të forta reagimi brenda dhe jashtë botës shqiptare.

Nisma e Nikollës me krerët e parlamenteve të vendeve anëtare të KE, shënon një hap të parë publik, pas fjalimit të Ramës, për korrigjimin-anullimin e demaskimin e raportit Marty, i cili sot është shkaku fillestar për mbajtjen në burgun e Hagës të drejtuesve kryesorë të shtetit kosovar, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi.


Letra e kryetares Nikolla kërkon të sensibilozjë parlamentet e vendeve anëtare të KE për rezolutën e Shtëpisë së Verdhë, por deri më sot Tirana zyrtare nuk ka paraqitur ndonjë plan veprimi a fushatë lobimi apo ndërmjetësimi, për të bërë të mundur që rezoluta e korrikut e Kuvendit të Shqipërisë dhe fjalimi i Kryeministrit në Strasburg, të ndiqen nga hapa konkrete për të lëvizur nga vendi ujrat e ndenjura të rezolutës 1782 të 11 viteve më parë.

Dalja publike kundër rezolutës së Dick Marty të sponsorizuar nga rusët dhe sërbët, duhej të ishte një ofensivë diplomatike panshqiptare, e jo një gjest i izoluar i qeverisë shqiptare. Gjithnjë nëse një e tillë nuk është duke marrë formë në katet e larta të shtetit tonë. Reagimi formal e konkret duhet të përmbajë të gjitha hapat që do të çonin në hedhjen poshtë të raportit Marty nga i njëjti institucion që e ka miratuar. E ky është një proces jo i lehtë procedural, ku hyn diplomacia dhe jurisprudenca e nivelit më të lartë.

Rrëzimi i një gënjeshtre që ka marrë përmasa planetare dhe ka ngrirë në analet e diplomacisë si e tillë, kërkon jo pak mund që të shbëhet, për më tepër kur atë e ka votuar dhe pranuar edhe vetë shteti shqiptar i para 11 viteve. Sot askush në Evropë nuk dyshon më se Dick Marty dhe të tjerët rreth tij, fabrikuan një sajesë të shëmtuar të destinuar për të përbaltur dy shtete dhe një komb, pas një lufte të përgjakshme e një spastrimi etnik të pashpirt nga ana e fqinjit të tyre verior. Por Evropa e kancelarive ka plot skelete në arkivat e saj, një më tepër nuk ngre peshë.

Tirana zyrtare nuk ka arsye që të mos e ftojë Prishtinën në këtë demarsh që kërkon përpjekjet e të gjithëve. Humoret personale mes Ramës dhe Kurtit, apo armiqësitë politike të këtij të fundit me personalitete që mbahen pa të drejtë në burgun e Hagës, nuk ka pse të bëhen pengesë që dy shtetet të jenë palë në këtë sfidë të komplikuar diplomatike.

Tani që emocionet, debatet e madje edhe folklori që prodhoi fjalimi i Ramës në Strasburg kanë nisur të bien, është momenti që të nisë një koordinim serioz mes dy kryeqyteteve për t’i hequr një njollë turpi si Kosovës,  ashtu dhe Shqipërisë. Jo thjesht për të nxjerrë nga burgu mikun e Ramës ose armikun e Kurtit, po për të dalë me një qëndrim të unifikuar në këtë akuzë trashanike, të sajuar nga ata që luftojnë sot si kundër njohjes së Kosovës si shtet, ashtu edhe kundër prestigjit e imazhit të Shqipërisë në planin ndërkombëtar.

Rama dhe Kurti kanë shumë për të fituar në këtë sfidë të mbetur pezull në historinë moderne të të dy anëve të kufirit shqiptar. Nuk mjafton të tallemi me karakterin grotesk të akuzave që na janë formuluar, për sa kohë që ato janë hedhur e zeza në të bardhë në një dokument të votuar nga një organizatë shumëpalëshe, e që shërben kohë pas kohe si pikë reference për të akuzuar shqiptarët.

Edi Rama ka meritën që e goditi me forcë dhe aty ku duhet dashakeqësinë që përmban raporti i Dick Martit. Tani është momenti që ndjeshmëria që krijoi ai gjest në Strasburg të mos përfundojë në një akt teatral e patetik për konsum të brendshëm, por që rezoluta e Kuvenbdit të Shqipërisë në verë dhe qëndrimi i kryeministrit të saj në tetor të përbëjnë bazën e një ofensive gjithë-shqiptare për të anulluar një paçavure të votuar fatkeqësisht nga shumë duar në Strasburg 11 vjet më parë, që sot heshtin.




Skip to toolbar