Murati: Revolucionet i hanë vetëm të uriturit

Më të fundit


Nga Shaban Murati 

Në vitin 1967, kur Shqipëria vuri në zbatim mësimin katastrofal të Mao Ce Dunit për revolucionin e madh kulturor kinez, në festivalin kombëtar të këngës në RTSH me porosi të partisë u interpretua kënga marsh “Revolucioni marshon”. Kjo ishte për t’i treguar popullit se revolucioni nuk kishte mbarur ende që nga 1944, por po vazhdonte.


Në fakt Enver Hoxha marrjen e pushtetit në 1944 e klasifikoi “triumf i revolucionit popullor”. Madje dhe dita e 29 Nëntorit zyrtarisht përcaktohej si “Dita e çlirimit të atdheut dhe e triumfit të revolucionit popullor”. Këtë përkufizim e çertifikoi me dhjetra konferenca shkencore edhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë.

Revolucioni shqiptar vazhdoi gjithë jetën e regjimit me devizën e “revolucionarizimit të vazhdueshëm të partisë dhe të pushtetit”. Pas Revolucionit të Madh Socialist të Tetorit në Rusi në vitin 1917 e deri më sot nuk u bënë më revolucione në atdheun e revolucionit. U bënë në Kremlin vetëm disa grushte shteti. Disa mikrorevolucione u zhvilluan pas 70 e ca vitesh në vendet e Europës Lindore ish-komuniste për përmbysjen e diktaturave komuniste.

Historia europiane i mbylli revolucionet në muze bashkë shekullin 20. Natyrisht nuk ishte revolucion, por karikaturë e tij, ndonjë aventurë puçiste si ajo e presidentit serb Millosheviç, i cili programin personal të sundimit të vet dhe të Serbisë në gjithë federatën komuniste jugosllave, që po shkërmoqej, e quajti “revolucion antiburokratik”. Gjithë Millosheviçët e tjerë komunistë fanatikë si ai në Ballkan, më pas nuk dihet përse u ndikuan dhe imitojnë idolin e tyre serb dhe i venë etiketën “revolucion” çdo ambicje dhe përpjekje personale për marrjen e pushtetit me dhunë.

Nuk thonte kot Napoleon Bonaparti se “revolucioni është idea, që ka gjetur bajonetat e saj”. Çdo politikan, që në demokraci ka ardhur nga komunizmi, është i obsesionuar pas revolucionit njësoj si Don Kishoti pas kalorësizmit. Politikanët e ardhur nga komunizmi çdo aventure personale për grusht shteti i venë emrin revolucion. Duket ndjekin mësimin e diktatorit komunis kuban Fidel Kastro, i cili mburrej se e kishte bërë revolucionin me 82 vetë.

Revolucioni vdiq bashkë me partitë komuniste. Por në Shqipëri, ku regjimi komunist më vonë se në çdo shtet tjetër ish-komunist e kuptoi se duhej e ikte, partia që vuri në skenë demokracinë me aktorët nga rradhët e saj, u la amanet mentalitetin dhe frymën e revolucionit të vazhdueshëm komunist. Për ata, që kanë kujtesë të shkurtër, po përmendim porosinë e famshme të “vazhdimësisë”, që diktatori i fundit komunist i la kryelistës së pasardhësve të vet. Partia vendosi në kolltukun demokratik të pushtetit fanatikët e komunizmit dhe të revolucionit permanent. E djathta në Shqipëri lindi e kuqe dhe u dashurua pas revolucionit, që vazhdon dhe që marshon.

Çudia e veçantë shqiptare është se harron që revolucionet i bëjnë të majtët dhe jo të djathtët. Një e djathtë, që i bie borive të revolucionit në kohën e demokracisë në një shtet anëtar të NATO-s, nuk është e djathtë, por është komuniste. Çudia tjetër e veçantë shqiptare është që e djathta e kuqe ka mobilizuar për të bërë revolucionin e saj me kushurijtë dhe pinjollët e familjeve të nomeklaturës më të lartë të regjimit komunist: të Enver Hoxhës, të Hysni Kapos, të Sulo Gradecit, etj. Secili kërkon sojin e vet dhe rikthehet në origjinë. Në politikë kjo quhet restaurim.

Revolucioni si terminologji dhe si objektiv ngroh të majtën e djathtë shqiptare dhe të djathtën e majtë shqiptare me nostalgjinë e kohës së vjetër të bindjes së verbër kolektive te Njëshi. Populli “revolucionar”, që ëndërron se “Pallati i Dimrit” merret çdo ditë edhe në shekullin 21, duhet të presë derisa në lumin Lana të vijë kryqëzori rus “Aurora” dhe të bombardojë pallatin e Carit. Çdo i fandaksur pas revolucionit të ri do të vdesë, duke pritur në kohën e pafund të ëndrrës për të parë “revolucionin që marshon” dhe për të pritur revolucionin që nuk vjen, sepse nuk ringjallet i vdekuri. Sepse as Krishti nuk rigjallet më, pa le me kufomat e vdekatarëve të ideologjive të vdekura.

Historia e njerëzimit na mëson se sot revolucionet i hajnë vetëm të uriturit nga stomaku dhe nga mendja.




Skip to toolbar