NATO dhe pritshmëritë për Kosovën, Rutte: Pas zgjedhjeve të krijohet një qeveri e qëndrueshme

BOTA


NATO pret që pas zgjedhjeve Kosova te formoje një qeveri të qëndrueshme. Aleanca ushtarake thotë se do të punojë me këdo që do të udhëheqë vendin.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se pret që pas zgjedhjeve në Kosovë, të ketë një qeveri të qëndrueshme dhe se NATO-ja do të punojë me këdo që do të udhëheqë vendin.

“Ky ka qenë një proces demokratik. Ajo që ne kuptojmë është se i kemi rezultatet fillestare, por ende po vazhdon numërimi i votave dhe do t’i kemi edhe rezultatet finale. Dhe, bazuar në rezultatet deri tani duket se do të ketë një qeveri koalicioni. Natyrisht, ne sigurojmë që do të punojmë me këdo që do të udhëheqë vendin. Gjithashtu urojmë që të gjithë politikanët të sigurojnë një qeveri të qëndrueshme sa më parë që të jetë e mundur”, tha Mark Rutte, sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Të dielën, më 9 shkurt, në Kosovë u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Sipas rezultateve paraprake, Lëvizja Vetëvendosje, ka fituar me mbi 40 për qind të votave.

Pjesëmarrja në votime ishte 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë.

Paraprakisht, për këto zgjedhje ka votuar edhe diaspora, nëpërmjet postës dhe në disa përfaqësi diplomatike.

Sipas vëzhguesve, zgjedhjet ishin të qeta, me disa parregullsi, por pa incidente të mëdha.



Skip to toolbar