NATO nis procesin e ratifikimit për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës, Stoltenberg: Ditë historike

BOTA


Procesi për ratifikimin e Suedisë dhe Finlandës si anëtarët më të rinj të NATO-s, filloi zyrtarisht të martën. Të dyja vendet kanë firmosur sot protokollin e pranimit për anëtarësimin në NATO. Me nënshkrimin e protokolleve të anëtarësimit “fillon procesi i ratifikimit” nga aleatët e NATO-s, të cilët së shpejti do të përbëhen nga 32 anëtarë, pasi Finlanda dhe Suedia, do të anëtarësohen zyrtarisht në Aleancë.


“Kjo është një ditë historike për NATO-n, Suedinë dhe Finlandën. Së bashku do të jemi më të fortë dhe popullatat tona më të sigurta, ndërsa përballemi me krizën më të madhe të sigurisë në dekada”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.


Në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës në shkurt, Suedia dhe Finlanda njoftuan paralelisht synimin e tyre për t’u bërë pjesë e NATO-s.


Samiti i NATO-s në Madrid e miratoi javën e kaluar duke lëshuar ftesa për të dyja vendet, pasi Turqia hoqi veton.

Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, kishte akuzuar Suedinë dhe Finlandën se janë parajsë për militantët kurdë dhe për promovimin e “terrorizmit”.


Ai gjithashtu kërkoi që ata të heqin embargon e armëve të vendosura për inkursionin ushtarak të Turqisë në Siri në vitin 2019.




Skip to toolbar