Ndahet nga jeta në moshën 81 vjeçare aktori Vasillaq Godo

AKTUALITET


Ndahet nga jeta në moshën 81 vjeçare aktori i teatrit “Petro Marko” të Vlorës, Vasillaq Godo. Ai është ndarë nga jeta mëngjesin e së martës.

Godo ka luajtur në disa filma shqiptar duke spikatur në rolet e tij ndërsa karrierën e tij artistike e ka zhvilluar në teatrin e Vlorës.


Godo lindi në Vlorë me 15 Shkurt 1943. Është ndër aktorët themelues të teatrit “Petro Marko” në Vlorë që në vitin 1962. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve për aktor në vitin 1967. Ka realizuar mbi 90 role, duke qenë një ndër aktorët më kryesorë të këtij teatri.

Aktori ka spikatur për lojen e tij realiste, me një zë të plotë, i parapëlqyer për të jetësuar figura epike, heroike, duke gërshetuar aty me maturi dhe artistik anët e madhërishme me ato humane, sikundër janë Hodoja tek drama “Lidhur si fishekë gjerdani” , Batoja tek “Jatagani” , Isa Boletini në “Besa e trojeve” etj.

Ndër rolet e spikatura janë ato të realizuara në pjesët: “Një dashuri e tillë(Vasllav Kral), “Për ata që janë në det”, “Sezoni dimëror i kafe Rivierës”, “Tre mendjet në ankand” (Profesori), “Rinoqeronti”, “Njeriu i borës”, “Terroristi i një qyteti” “S.O.S në hotel”, ”Para semaforit” (Cecea), “Shpirti i ujkut” (Aleksi).

Vasil Goda ka qenë gjithashtu një recitues i poezisë dhe prozës shqipe në shumë koncerte të fjalës artistike.

U aktivizua gjithashtu edhe në disa filma shqiptare si tek: Vellezër dhe shokë” – 1980, “Një emër midis njerëzve” – 1983, “Kthimi i ushtrisë së vdekur” – 1989, “Jeta në duart e tjetrit” – 1990, “Një ditë e mrekullueshme” – 2003, “Shqiptari” – 2010 dhe më i fundit është ai në rolin e njëpolici tek “Pharmakon” – 2012. A.K.




Skip to toolbar