Në shkollat e Tiranës ka nisur zbatimi i urdhrit të Ministrisë së Arsimit që ndalon telefonat celularë dhe pajisjet që lidhen me to në mjediset e institucionit arsimor nga nxënësit.
Mësuesit i kanë kërkuar prindërve të bashkëpunojnë me shkollën për zbatimin e këtij vendimi.
Ata iu kanë shpërndarë një deklaratë ku u kërkojnë të nënshkruajnë se janë informuar jo vetëm për ndalimin e përdorimit, por dhe mbajtjen e telefonit e pajisjeve të ngjashme nga nxënësit gjatë qëndrimit në shkollë.
Në deklaratë thuhet se qëllimi i udhëzimit është krijimi një mjedisi arsimor të shëndetshëm, pa shpërqendrime, ku nxënësit të përqendrohen vetëm tek procesi mësimor.
Prindërit duhet të deklarojnë gjithashtu se janë të vetëdijshëm për masat disiplinore që parashikohen ndaj fëmijës së tyre në rast shkelje.
Këtu përfshihet paralajmërimi, njoftimi i prindit me shkrim dhe përmes fletores digjitale, sekuestrimi i telefonit dhe kthimi vetëm te prindi pas përfundimit të orarit mësimor, por dhe masa të tjera ndëshkimore që parashikohet në udhëzimin e ministrit dhe rregulloren e brendshme të shkollës.
Ministria e Arsimit nxori udhëzimin e posaçëm në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Sipas tij nxënësi e merr telefonin vetëm në rast nevoje të argumentuar nga prindi në drejtorinë e shkollës. Dhe në këto raste telefoni fiket dhe nxënësi nga nisja e mësimit deri në fund të tij e dorëzon në sirtarin apo kutinë e përcaktuar në klasë.
Për raste urgjente, komunikimi me prindin bëhet vetëm me leje ose përmes mësuesit apo drejtorit të shkollës.
