Ndikim i inteligjencës artificiale në industrinë e teknologjisë

BOTA


A mund ta shpëtojë inteligjenca artificiale industrinë e teknologjisë? Ekspertët janë optimistë.

Pas disa vitesh të vështira, risitë e prezantuara në panairin e këtij viti të pajisjeve teknologjike ‘IFA’ në Berlin janë një tregues se ky sektor është gati për një epokë të re, më fitimprurëse.

Panari IFA në Berlin është një nga ekspozitat më të rëndësishme të pajisjeve elektronike në botë.

Kompanitë e mëdha dhe të vogla teknologjike prezantojnë produktet e tyre të fundit, nga ekranet, pajsijet e videolojërave dhe shumë më tepër.

Industria e teknologjisë pati disa vite të vështira pas pandemisë, sepse konsumatorët i ulën shpenzimet, duke i zëvendësuar më rrallë pajisjet elektronike.

Por ekspertët thonë se risitë e prezantuara në IFA këtë vit janë një tregues se tregu është gati për një epokë të re.

“Shfaqja e këtij viti duket më energjike, pas disa vitesh të ngadatla. Mendoj se ky është një reflektim i industrisë në tërësi. I gjithë investimi tek Inteligjencën Artificiale gjatë dy viteve të fundit, po ecën drejt konsumatorëve dhe bizneseve”, thotë eskperti i teknologjisë Kane McKenna.

Por, a janë njerëzit gati të shpenzojnë më shumë për pajisjet e fundit?

Eksperti McKenna mendon se veçoritë e reja të Inteligjencës Artificiale mund të tundojnë disa të paguajnë më shumë.

“Mendoj se disa nga prirjet e fundit do të vazhdojnë. Por, sigurisht që Inteligjenca Artificiale pritet t’i nxisë konsumatorët të blejnë pajisje më të përditësuara që të shfrytëzojnë teknologjinë e fundit”, thotë ai.

Një shembull i teknologjive të reja është fshesa robotike nga kompania ‘Roborock’, e cila u prezantua për herë të parë në panarin IFA.

Përmes inteligjencës artificiale, fshesa pastron kur ju nuk jeni në shtëpi, identifikon dhe shmang pengesat, lëviz edhe në sipërfaqe që nuk janë të rrafshta dhe ka furça më të përparuara.

“Të gjitha rrotat e saj mund të lëvizin lart dhe poshtë. Është si një makinë pa pilot dhe furça e saj pastron të gjitha qoshet e shtëpisë. Fuqia e saj thithëse është gjithashtu më e madhe”, thotë Michelle Newburgh, përfaqësuese e kompanisë ‘Roborock’.

Fshesa e parë robotike është prezantuar më 1996 nga kompania ‘Electrolux’.

Që atëherë, teknologjia ka përparuar dhe shumë konkurrentë janë futur në treg.

Por, kompania ‘Roborock’ mendon se ka ende hapësirë për rritje.

“Tregu nuk ka kufi, mundësitë janë të shumta. Ndoshta në të ardhmen robotët mund të ngjiten shkallëve. Do t’ju tregojnë se ku ndodhen gjërat tuaja në shtëpi. E ardhmja është e pafund”, thotë zonja Newburgh.

Pavarësisht vështirësive ekonomike të viteve të fundit, bizneset e reja ende po përpiqen të depërtojnë në treg. Remy Fejaville, menaxher i shitjeve në kompaninë franceze ‘Abeye’, mendon se ka një produkt unik në duart e tij. Syzet ‘Lexilens’ ndihmojnë njerëzit me disleksi të përmirësojnë aftësitë e tyre të leximit. Ato kushtojnë 590 euro. Deri tani kompania ka shitur 5 mijë e 500 palë syze.

“E mendoja më të lehtë futjen në treg me një produkt kaq revolucionar, por kemi ende vështirësi, sepse është produkt i ri dhe unik. Duhet të bindim skeptikët. Është e vështirë, por jemi të lumtur që kemi njerëz që vijnë tek ne dhe na thonë se si u kemi ndryshuar jetën. Kjo na motivon që të ecim përpara”, thotë zoti Frejaville.

Panari ‘IFA’ mbyllet më 10 shtator. /voa



Skip to toolbar