Ndikimi rus, BE “sytë katër” në Ballkan pasi bllokoi negociatat

AKTUALITET


Vendimi i BE-së për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut u përcoll me kritika, shumica e të cilave theksonin se ky vendim i hap rrugën ndikimit rus në Ballkan. Dhe pa kaluar shumë kohë, kryeministri i Rusisë Dmitry Medvedev zhvilloi një vizitë në kryeqytetin serb, Beograd ku njoftoi nënshkrimin e një marrëveshje tregtie më 25 tetor, lëvizje kjo që u pa si një reagim i Rusisë ndaj vendimit të BE për të rritur influencën në Ballkan, dhe duke e nisur nga Serbia me të cilën njihet që kanë marrëdhënie miqësore prej kohësh.

Komisioni Evropian reagoi duke thënë se po i ndjek nga afër negociatat e Serbisë me Rusinë për një marrëveshje për tregti të lirë, tha zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Maja Kocijançiç.


“Po e përcjellim me kujdes situatën dhe po e diskutojmë atë me autoritetet serbe. Nga Serbia pritet që të përafrohet me politikën e BE-së”, tha Koçijançiç, raporton Radio Evropa e Lirë.

Megjithatë, shtoi Kocijançiç, Serbia mund të bëjë marrëveshje me vendet ose organizatat e tjera, përpara se të bëhet anëtare e BE-së.

“Në kontekstin e negociatave të pranimit, Serbia obligohet të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe të tregtisë së jashtme në ditën e pranimit në BE. Tërheqja e Serbisë nga marrëveshjet e tregtisë së lirë me palët e treta nuk është një kusht i ri, por një rregull i përgjithshëm që vlen për të gjitha vendet kandidate që duan të anëtarësohen në BE”, tha Koçijançiç.

Sipas saj, BE-ja është partneri më i rëndësishëm tregtar i Serbisë, sepse tregtia e ndërsjellë përbën 63 për qind të tregtisë totale të Serbisë.




Skip to toolbar