Ndoja “pendohet” dhe ndryshon qëndrim: Atentati kundër meje

AKTUALITET


Prokurori Arian Ndoja ka ndryshuar qëndrim sa i përket objektivit të atentatit, ku fillimisht ka deklaruar se nuk ka qenë ai objektiv i atentatit, ndërkohë që tashmë deklaron se atentati është kryer për shkak të detyrës së tij.

Një ditë pas atentatit, nga burimet policore u tha se Arian Ndoja ka mohuar që atentati të jetë bërë ndaj tij, duke ngritur kështu dyshime për grupin hetimor se objektiv ka qenë Pëllumb Muharremi, i njohur si “Rrumi”. Por gjashtë pas atentatit, në një intervistë për News 24, prokurori është “penduar” dhe ka deklaruar se atentati ndaj tij ka ndodhur për shkak të detyrës, por do të flasë në një moment tjetër për të gjithë ngjarjen. Këtë deklaratë, ai e ka bërë nga spitali për atentatin që iu bë gjashtë ditë më parë te mbikalimi i Shkozetit, ndërsa po udhëtonte me shoferin e tij, Andi Maloku, dhe një personazh të njohur të botës së krimit, Pëllumb Muharremi alias Aleksandër Laho, i njohur edhe si “Rrumi” i Shijakut.

Nga reparti i Ortopedisë, në Spitalin e Durrësit, ku vijon të kurohet, prokurori bisedoi me gazetaren e “News24”, Klodjana Haxhiaj, dhe tha se nuk i trembet askujt, pasi nuk i ka borxh njeriu, duke shtuar se ua ka lënë organeve të drejtësisë të zbardhin ngjarjen.

Pavarësisht kësaj, Ndoja është i bindur se atentati i është bërë për shkak të detyrës së tij si prokuror, por nuk zbardh të tjera detaje për çështje apo dosje konkrete. “Ua kam lënë në dorë organeve të drejtësisë ta zbardhin ngjarjen. Unë nuk i trembem askujt, pasi nuk i kam borxhe askujt. Mediat kanë trilluar shumë histori për mua. Kam investuar 20 vite në punën time. Do flas në një moment tjetër për të gjithë ngjarjen, e cila ka ndodhur për shkak të Arianit prokuror”, shprehet prokurori Ndoja për “News24”.

Si pasojë e plumbave të atentatit të 1 nëntorit pranë mbikalimit të Shkozetit, në Durrës, ku u qëllua me breshëri plumbash ndaj makinës së prokurorit, ky i fundit u plagos bashkë me dy tjerët, që ndodheshin në mjet, ku më rëndë është shoferi i tij, Andi Maloku. 72 orë pas atentatit policia ndaloi autorin e parë të dyshuar të atentatit, 34-vjeçarin Redjan Rraja, që është edhe kushëri i deputetit socialist, Rrahman Rraja.



Skip to toolbar