Kryeministri Edi Rama është i bindur se më 11 maj do të marrë mandatin e katërt qeverisës, me më shumë vota se asnjëherë tjetër më parë.
Ndërsa një komentuesi i shkruante në facebook se i kishte të gjithë bashkëpunëtorët në burg, Rama iu përgjigj:
“Në 3 mandate kam pasur 60 ministra. Deri tani 2 ministra të mandatit të parë janë dënuar, një tjetër është në paraburgim dhe një tjetër, ish-zv.kryeministri, ka marrë arratinë për t’i shpëtuar drejtësisë”.
“Populli, besimin e tregon me votë dhe që kur erdha në këtë detyrë e deri sot, ma ka dhënë besimin 9 herë.
Të siguroj që do të ma japë besimin edhe më 11 maj, për herë të dhjetë, dhe me rezultatin më të mirë nga të dhjeta herët.
Pse e kam këtë bindje? Sepse ky popull nuk mendon se unë duhet të japë dorëheqjen, sepse udhëhoqa pavarësimin e drejtësisë dhe i hapa rrugën goditjeve në nivelet e larta, që nuk kishte ndodhur kurrë që nga viti 1912”, tha Rama duke iu përgjigjur komenteve të ndjekësve në llogarinë e tij në Facebook.