Në kërkim të “Maddie”/ Portugali, policia gjermane ndjek gjurmët e të dyshuarit

BOTA


Autoritetet portugeze dhe ato gjermane kanë rifilluar kërkimet për Madeleine McCann në një zonë të gjerë pranë qytetit të Atalaias, në Portugali , rreth 5.6 kilometra  larg kompleksit turistik Ocean Club në Praia da Luz, ku vogëlushja britanike u zhduk më 3 maj të vitit 2007.

Kërkimet janë përqendruar në një sipërfaqe prej 21 kilometrash katrorë dhe pritet të zgjasin deri të premten. Vëmendja është drejtuar kryesisht tek ndërtesa të braktisura, puse uji dhe një fermë e rrënuar që ndodhet në mes të një zone të shkretë pranë bregdetit, por në zemër të një rajoni turistik. Gjatë operacionit janë përfshirë dhjetëra forca policore, hetues  civil dhe zjarrfikës, të cilët kanë pastruar terrenin dhe kanë tharë një pus për të vijuar kërkimet.

Ky zhvillim vjen tre vjet pasi prokuroria gjermane identifikoi si të dyshuar kryesor shtetasin gjerman Christian Brückner, 48 vjeç, i cili aktualisht ndodhet në burg në Gjermani për përdhunimin e një turiste amerikane në Portugali në vitin 2005. Ai ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në zhdukjen e Madeleine-it. Brückner ka jetuar në Algarve për një periudhë të gjatë, midis viteve 2000 dhe 2017, dhe sipas një dokumentari gjerman të vitit 2022, ai kishte punuar herë pas here si punëtor në kompleksin Ocean Club.

Policia gjermane është pajisur me një urdhër evropian për të kryer kontrolle në prona private, i cili është miratuar nga prokuroria portugeze. Kjo fazë e re e hetimeve përfshin kërkime në 21 parcela të ndryshme toke, por autoritetet nuk kanë sqaruar nëse ky veprim bazohet në informacione të reja, duke lënë të kuptohet se mund të jetë një përpjekje e fundit për të gjetur prova ose mbetje trupore që mund të kenë mbetur të pazbuluar 18 vite pas zhdukjes se vajzes britanike.

Rasti i Madeleine McCann mbetet një nga çështjet më të bujshme të personave të zhdukur në Evropë. Hetimi i policisë britanike, i njohur si Operacioni Grange, është hapur në vitin 2011 dhe deri më tani ka kushtuar mbi 13.3 milionë paund. Policia Metropolitane britanike ka konfirmuar se është në dijeni të kërkimeve të reja, por vazhdon ta trajtojë çështjen si një hetim për një person të zhdukur.

Prindërit e Madeleine-it, Kate dhe Gerry McCann, në përvjetorin e 18-të të zhdukjes së saj muajin e kaluar, theksuan se “vendosmëria e tyre për të mos lënë gur pa lëvizur mbetet e palëkundur”.



Skip to toolbar