Në pritje të arrestit të Berishës, avokatët kërkesë për marrje provash

AKTUALITET


Avokatët e Berishës dorëzojnë në gjykatë kërkesë për marrje provash. Mbrojtësit kanë kërkuar audion e seancës dhe procesverbalet, për të provuar njëanshmërinë e gjyqtares Irena Gjoka.

Avokatët kërkojnë të gjitha vendimet e arsyetuara, të dhëna nga gjyqtarja Gjoka, por edhe vendimet e dhëna nga gjyqtarët e tjerë që kanë rrëzuar kërkesat e avokatëve për përjashtimin e saj nga çështja Berisha.


Ndërkohë, pas dy seancave të shtyra në GKKO, sot pritet të zhvillohet e treta, për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për ish-kryeministrin Sali Berisha.

Dy seancat e shkuara janë shtyrë për shkak të kërkesës së avokatëve për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, kërkesë kjo e rrëzuar nga Apeli, por edhe pasi kanë kërkuar më shumë kohë për t’i njohur me provat e reja, që e shtynë SPAK të kërkojë një masë më të rëndë sigurie.

Berisha ka thënë se ky është një gjyq politik, por që nuk do e ndalë atë në aksionin opozitar, ku ka paralajmëruar protesta edhe më të mëdha se ato që ka organizuar deri më tani, e fundit një ditë më parë.

SPAK akuzon se Berisha ka kryer veprime konkrete, si kryeministër, me miratime ligjesh dhe aktesh nënligjore, nga të cilat përfitoi dhëndri i tij, përmes privatizimit të pronës shtetërore- kompleksi sportiv Partizani. Berisha i hodhi poshtë akuzat për “korrupsion pasiv” si të pabaza, duke i cilësuar si sulme politike të kryeministrit Edi Rama.




Skip to toolbar