Në Shqipëri bëhet plazh, Italia goditet nga stuhia. Milano nën ujë

AKTUALITET


Ndërsa në Shqipëri vazhdon vera e zgjatur me temperatura të larta që të ftojnë në plazh edhe në fund të tetorit, Italia fqinje është goditur nga stuhia duke shkaktuar përmbytje në disa qytete në pjesën veriore të vendit.

Stuhi të mëdha goditën zonën e Ligurias qendrore para agimit të së hënës. Përkeqësimi i kushteve të motit erdhi rreth orës katër të mëngjesit, me një stuhi të fortë që goditi Perëndimin dhe që më pas preku tërë bregdetin me shi të rrëmbyeshëm dhe erë të fortë. Në Xhenova dhe Savona, ku alarmi kishte zbritur në portokalli, filloi një stuhi rrufeje dhe uji pushtoi Milanon.


Vala e motit të keq shkaktoi përmbytje në Xhenova dhe Milano. Autoritetet thanë se situata është problematike veçanërisht në Milano, ku përmbytjet e rrugëve kanë shkaktuar kaos në qarkullimin rrugor, por edhe në atë të sistemit të metrove. Disa linja të transportit publik pezulluan punën.

Veç përmbytjeve, probleme në qarkullimin rrugor ka sjellë edhe thyerja e dhjetëra pemëve për shkak të erërave të fuqishme. Autoritetet urdhëruan edhe mbylljen e disa shkollave, pasi prania e ujit e bënte të pamundur zhvillimin e mësimit.

Ekipet e emergjencës janë angazhuar për të ndërhyrë në rastet problematike, ndërsa pritet përkeqësimi i mëtejshëm i motit gjatë orëve në vijim.




Skip to toolbar