“Neglizhenca më e vogël mund t’ju kushtojë jetën”, mesazhi i prof. Silva Bala

AKTUALITET


Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në rubrikën e pyetjeve të ngritura nga qytetarët për COVID-19, ka publikuar mesazhin e prof. Silva Bala nga spitali COVID2.


Në përgjigjen e saj, mjekja e njohur thekson se shëndeti është gjeja më e çmuar që ka secili prej nesh ndaj dhe në këtë kohë pandemie kujdesi për të duhet të jetë i shtuar. Pyetjes se kur duhet ti drejtoheni Spitalit prof. Bala i pergjigjet se kjo duhet të ndodh kur rekomandohet nga mjeku i familjes.

“Nëse ju drejtoheni tek mjeku i familjes, nëse ju drejtoheni tek mjeku specialist dhe mjeku ju thotë se ju jeni për të vajtur për t’u trajtuar në spital, mos e neglizhoni këtë rekomandim të mjekut. Drejtohuni sa më parë qendrave spitalore në kohën që mjeku mendon se nuk mundet të vazhdoni më të mjekoheni në shtëpi. Në shtëpi mjekohet sëmundja e lehtë. Mjeku kur mendon se sëmundja është e patrajtueshme në shtëpi, patjetër dhe është e domosdoshme që trajtimi të bëhet në qendrat spitalore, nën trajtim të kontrolluar me ekzaminime dhe në ndjekje të vazhdueshme të gjendjes suaj”, shprehet Bala.

Bala ka bërë apel qytetarëve për zbatimin e masave me qëllim parandalimin e COVID-19.

“Neglizhenca më e vogël ju kushton jetën! Ju lutem edhe njëherë: Sa herë që të dilni nga shtëpia, mos e harroni maskën. Bëjeni maskën sendin tuaj më të domosdoshëm. Maska është pjesë e trupit tuaj tashmë për t’ju mbrojtur nga ky virus i rrezikshmën”, thekson Bala në mesazhin e saj.