Nën hetim drejtuesi politik i LSI! Premtonin lekë në këmbim të votës

Më të fundit


Rreth dy javë para zgjedhjeve, policia bën goditjen e parë kundër krimit zgjedhor në vend.

Vasil Shabani, është arrestuar nga policia pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij policia ka gjetur 528.000 lekë (të rinj), për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe nje fletë e ngjashme me formatin e fletës së votimit.


Ndërkohë është vënë nën hetim drejtues i Lëvizjes Socialiste në Pukë, Demir Syla pasi policia i ka gjetur në ambientet e biznesit të tij një tjetër fletë të ngjashme me atë të votimit dhe një fletë të bardhë format ku ishin shkruar me lista emërore të dhënat personale të 27 personave, përfshirë këtu emër, atësi, mbiemër dhe numrat e ID.

“Hartonin lista me të dhënat e kartave të identitetit, duke iu premtuar qytetarëve lekë në këmbim të votës, vihet në pranga sekseri. Procedohet penalisht drejtuesi i një subjekti politik. Sekuestrohen një sasi parash, një listë me të dhënat personale të 27 qytetarëve dhe dy fletë të ngjashme me fletët e votimit.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore pecialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pukë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Sh., 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Buzhale të Njësisë Administrative Qelez, Bashkia Pukë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi D.S., 25 vjeç, banues në Pukë, me detyrë drejtues i një subjekti politik në Pukë.

Arrestimi i shtetasit V. Sh. u bë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në qytetin e Pukës, shërbimet e Policisë i kanë gjetur me vete këtij shtetasi shumën 528.000 lekë (të rinj), për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe nje fletë e ngjashme me formatin e fletës së votimit.

Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e biznesit të shtetasit D.S., Policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit,  si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemer) me 27 persona dhe numrat e ID.

Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit V.Sh. (i arrestuar) dhe shtetasit D.S. (i proceduar në gjendje të lirë) u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”, njofton policia.




Skip to toolbar