Nën hetim për skandalin te Onkologjiku/ Mjeku Edmond Gashi akuzon mediat: Keqdashëse

AKTUALITET


Njësoj si kolegia e tij Alketa Ymeri edhe mjeku Edmond Gashi i akuzuar për skandalin te Onkologjiku ka fajësuar mediat dhe gazetarët.

Në reagimin e tij të parë publik përmes një postimi në Facebook mjeku kirurg i akuzon gazetarët si keqdashës që sajojnë të pavërteta dhe hetimet e nisura nga Prokuroria e Tiranës  quan sulm mediatik që po i bëhet.

Mjeku ankohet se mediat shantazhojnë drejtësinë  duke denigruar figurën e tij.

“Po tentohet te denigrojnë figurën e një mjeku, një profesionisti të shëndetësisë që ka qenë derë e hapur për qindra pacientë dhe që ka vuajtur njësoj me dhimbjet e pacientit. Trajtimi shëndetësor i një pacienti në klinikë private është zgjedhje dhe e drejtë e tij. Mjeku ka për detyrë t’i përgjigjet njësoj, me të njëjtin përkushtim si në shtet ashtu edhe në privat.”, thotë ai.

Por e vërteta është se Mjeku Edmond Gashi, përveçse i drejtonte pacientët e onkologjikut drejt klinikës së tij private në mënyrë abuzive i mashtronte ata për shërbimet në këtë klinikë duke mos ofruar paketën e plotë.

Sipas hetimeve të prokurorisë Gashi nuk u ka treguar pacientëve të klinikës së tij se aty mund të bënin vetëm skanerat dhe operacionet, ndërsa biopsinë, kemioterapinë dhe rrezet sërish i dërgonte drejt spitalit shtetëror.

Ditën e caktimit të masës në gjykatë Gashi u paraqit i vetëm i pashoqëruar nga efektivët e policisë. Ai bën përgjegjës mediat.

“Sërish u sulmova dhe atakova padrejtësisht pse me mua nuk ishte edhe Policia(?) Kësaj nuk di t’i jap shpjegim. Unë respektova orarin dhe u gjenda aty në përgjigje të institucionit. Në përfundim të seancës, po njësoj jam larguar nga ambientet e Gjykatës dhe dikujt mund të mos i ketë pëlqyer pse zgjodha derën tjetër. Gjykova se është më e drejtë të shmang të gjitha ato “topa balte” të pamerituara që janë lëshuar e lëshohen drejt meje”, shprehet ai.

Por në videot e bëra publike Gashi shfaqet teksa qëndron në hollin e gjykatës teksa qëndron duke pritur të dalë nga një derë që nuk përdoret as për të hetuarit, as për publikun por vetëm vetëm për gjyqtarë e prokurorë.

Gjithashtu Gashi shfajësohet se ka respektuar masën e caktuar nga Gjykata. Por në fakt pak orë pas largimit me vrap nga gjykata atij iu publikua një foto teksa po drekonte në një restorant në një lokal në zonën e Kasharit  duke thyer kështu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të dhënë të enjten nga togat e zeza. Dhe pas kontrolleve nga policia ai u  gjet disa orë më vonë në banesën e tij.

Për këtë mjeku Gashi u procedua në gjendje të lirë nga policia e shtetit për largimin nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Në reagimin e tij kirurgu i spitalit shtetëror hedh dyshime edhe për atë se çfarë nuk funksionon te Onkologjike duke kërkuar që të bëhet hetim i plotë nga drejtësia.

“Po të trajtohet drejt dhe të ketë vullnet për të çuar në dritën e transparencës çfarë nuk funksionon te Onkologjiku, le të bëhet hetim i gjithanshëm dhe i plotë. Nuk jam në pozicionin e akuzuesit e as të denoncuesit, i takon drejtësisë të zbardhë të vërtetën dhe në fund të bëjë atë që i takon: Drejtësi!, thotë ai.

Skandali në spitalin e Onkologjikut u zbulua nga Prokuroria e Tiranës disa ditë më parë, ku rezultoi se të përfshirë ishin 7 mjekë dhe staf i spitalit për trajtimin e sëmundjeve tumorale.

Ata duke bashkëpunuar sëbashku nuk u jepnin shërbim pacientëve duke i drejtuar tek klinika private e Edmond Gashit.

Ndërkohë në disa episode të tjera u zbulua se disa medikamente që duhet të përdoren vetëm nga spitali, shiteshin ilegalisht nga dy farmaci.



Skip to toolbar