“Nëse PD bashkohet rreth ideve, kemi mundësi të ecim përpara”, Mediu: Me Shehin kemi rënë dakord që të mos biem dakord duke qenë dakord

AKTUALITET


“Nëse PD bashkohet rreth ideve, kemi mundësi të ecim përpara”, ka deklaruar kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu në emisionin “Real Story”.

Ai ka theksuar se me Dashamir Shehin ka rënë dakord që të mos bien dakord duke qenë dakord.


Sakaq, Mediu ka shtuar se edhe një kandidaturë tjetër mund të krijojë qasje pozitive me faktorin ndërkombëtar dhe shqiptar.

“Shiko unë kam diskutuar me Zotin Shehi, por jo vetëm unë, edhe zoti Duka, edhe zoti Dule, përpara se ta marrim këtë iniciativë dhe kemi rënë dakord që të mos biem dakord, duke qenë dakord. Është e rëndësishme që mendimet e zotit Shehi kanë racionalitetin e tyre, por ne kemi gjykuar që ajo që është e rëndësishme në aspektin e federatës është që duhet të jetë një opozitë e bashkuar. Me këtë sistem elektoral, jo vetëm faktorët opozitarë, por dhe subjektet e reja kanë më tepër shanse në një bashkim politik, në qoftë se do të lejohen koalicionet paraprake të kenë rezultate më të mira në zgjedhje dhe fuqi më të madhe në kuvend.

Ky është rigjallërimi që mund të dojë opozita sidomos po të përfshijë në këtë proces dhe diasporën. Sa më tepër subjekte të reja aq më mirë është opozita, por duhet të ketë një forcë graviteti dhe kjo forcë është PD. Unë nuk shikoj asgjë të keqe nga bashkimi i PD. Nëse ne bashkohemi rreth ideve, ne kemi mundësi të ecim shumë më përpara.

Unë e filloj nga vetja ime analizën, si unë, si zoti Meta, si zoti Berisha, apo Basha, që kemi një kohë të gjatë në politikë, të gjithë ne atë që na e kanë dhënë me shumicë qytetarët shqiptarë duhet t’u kthejmë në mënyrë tjetër me një kontribut elektoral. Ju kujtohet që ne në 2001 dolëm me një kandidaturë tjetër për kryeministër që është Zoti Bode. Kjo mund të krijojë një qasje pozitive me faktorin ndërkombëtar dhe shqiptar”, tha Mediu.




Skip to toolbar