1 korriku shënon zyrtarisht nisjen e zbatimit të marrëveshjes së pensioneve me Italinë. Nga e marta cilido që i ka lindur e drejta për përfitim nga kjo marrëveshje do të aplikojë.
Aplikimet do të bëhen pranë zyrave të Institutit të Sigurimeve Shoqërore të Shqipërisë dhe Italisë, por do të bëhen dhe online në portalin e-Albania, në varësi të rastit të përfituesve. Zyrtarë të ISSH-së Loreta Shkëmbi drejtore e marrëveshjes ndërkombëtare në ISSH gjatë një interviste në emisionin E-ZONE në Vizion Plus tha se pritet një fluks i lartë aplikimesh nga kjo marrëveshje.
“Ne kemi marrë masat që ti përgjigjemi në kohë këtij fluksi. Në faqen online të ISSH-së do të jetë një udhëzim i detajuar i rasteve dhe hapat që do të ndjekin përfituesit për aplikim. Paralelisht do të vëmë në dispozicion edhe një numër telefoni që të sqarojmë qytetarët për çdo paqartësi”, sqaroi Shkëmbi në Vizion Plus.
Dy zyrat e sigurimeve shoqërore mes Shqipërisë dhe Italisë do të komunikojnë për çdo dosje me qëllim saktësimin e të dhënave për përfituesit. Pesë janë kategoritë që do të përfitojnë nga kjo marrëveshje.