Nga Gjin Gjoni te Fatmira Hajdari, gjyqtarët e Apelit që i pret vettingu në shtator

AKTUALITET


Në shtator Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) do të nisë seancat për verifikimin e gjyqtarëve të Apelit dhe anëtarëve të KLD-së ku spikasin emra të njohur në fushën e drejtësisë, si Gjin Gjoni, Fatmira Hajdari etj.

Gjatë gjithë kësaj periudhe pune, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka kaluar në veting me prioritet kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Prokuror të Përgjithshëm, Gjykatën Kushtetuese e për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion.


Në “skaner” kanë kaluar edhe një pjesë e mirë e krerëve të gjykatave e të prokurorive, por pa u rivlerësuar janë ende gjyqtarët e Gjykatës së Apelit. Janë rreth 60 gjyqtarë për të cilët është hedhur shorti që vitin e kaluar, por akoma nuk janë thirrur në seancë dëgjimore.

Shorti i parë i hedhur nga KPK për anëtarët e Apelit është ai i datës 18 shtator 2018. Pra, ata janë prej një viti në pritje sepse KPK ka qenë e zënë duke rivlerësuar kandidatët prioritarë. Por në vjeshtë duket se do të jetë radha e tyre. Vetëm nga Gjykata e Apelit të Tiranës janë 22 gjyqtarë që nuk janë skanuar për pasurinë, aftësitë profesionale dhe integritetin e figurës, shkruan gazeta SOT.

Ndër ta mund të përmendim Agim Bendon, i cili ka qenë pjesë e trupës gjykuese në Apel që i dha lirinë Gentian Dodës, i akuzuar për 2 vrasje. Nga lista mund të veçojmë edhe emrin e Andi Civicit. Emërimi i tij, i bërë nga Bujar Nishani, u cilësua si nepotik pasi në kohën kur mori postin e gjyqtarit të Apelit në Tiranë, ai kishte anëtare të Këshillit të Lartë të Drejtësi bashkëshorten Eneida Civici.

Ndërkohë, pa u futur në veting janë edhe anëtarët e Gjykatave të Apelit në rrethe, nga ku përmendim: Astrit Kalajën në Shkodër, Anita Micin në Durrës, Brunilda Orhanin në Korçë, etj..

Sakaq, pa kaluar akoma në veting është edhe anëtarja e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Nure Dreni. Një tjetër emër i njohur që nuk është përballur me KPK është edhe ai i Elisabeta Imerajt, e cila kandidon edhe për në SPAK.

Vjeshta pritet të tronditë edhe ish-anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duke nisur nga Gjin Gjoni e Fatmira Hajdari, tek Eneida Civici dhe Ridvan Hado, por edhe emra të tjerë, nuk janë përballur akoma me trupën gjykuese. Emrat e tyre janë shortuar që në nëntor të 2018, por prej afro një viti i kanë “shpëtuar” procesit të vetingut për shkak të prioriteteve të tjera që ka pasur KPK.

Por duket se tani erdhi edhe për ta ora e llogaridhënies. Gjin Gjoni njihet si një nga ish-anëtarët e KLD me pasuri marramendëse. Pak kohë më parë ai shkaktoi një debat mes ministres së Drejtësisë dhe KLD, e cila i dha leje prindërore për 2 vjet. Kjo u interpretua si një tentativë e Gjin Gjonit për t’i shpëtuar vetingut. Nga ana tjetër, mund të veçojmë edhe emrin e Fatmira Hajdarit, e cila është akuzuar shpesh nga Izet Haxhia si një gjyqtare që ka shitur gjakun e burrit, Azem Hajdarit, për të shpëtuar veten.

Kujtojmë që emri i saj shkaktoi një kaos të madh para pak kohësh në Gjykatën e Apelit me çështjen e Izet Haxhisë pasi askush nuk pranonte ta gjykonte atë për shkak të miqësisë me Fatmira Hajdarin. Pjesë e listës është edhe ish-anëtari i KLD, Petrit Çomo, i cili është gjyqtari që liroi me kusht ish-drejtorin e fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxollin./SOT




Skip to toolbar