I ftuar në A2 CNN, avokati Spartak Ngjela ka komentuar edhe nismë e ish-kryeministrit Berisha për t’u takuar me bazën e partisë. Për Ngjelën, Berisha po e bën këtë lëvizje pasi ka frikë nga pushteti gjyqësor në Shqipëri, jo se u shpall “non grata” nga SHBA.
Ai bën thirrje që SPAK duhet të punojë pa presione, ndërsa sipas tij, goditjet e mëdha duhet të nisin në kampin e majtë.
“Mos u ngutni dhe mos i krijoni presione SPAK-ut. Këtu po ecet hap pas hapi të shkohet në rangjet e larta. A e shikoni ish-kryeministrin si del nëpër popull dhe bërtet? Mendoni se e ka ngaqë është “non grata”? Jo, por ka frikë nga pushteti gjyqësor në Shqipëri.
Nuk është vetëm ai, por asnjëri nga këta nuk ndihet i sigurt. Unë i njoh nga afër, di edhe fakte, por nuk janë prova. Lëreni SPAK-un të punojë pasi 2 vite ka dhe të shikojmë kë do na marrë në proces penal.
Kini parasysh një gjë, duhet të fillojë majtas. Pse duhet të fillojë majtas? Kemi skemën e Napoléon Bonaparte. Kur ai goditi korrupsionin i ra majtas, pasi edhe ai ishte i majtë ishte në pushtet. Shenjat janë që edhe këta kështu po fillojnë”, u shpreh Ngjela.
Ai tha se politika amerikane duhet të koordinohet me maxhorancën dhe opozitën për hapin e fundit të reformës në drejtësi, thithja e profesionistëve.
Si shembull për këtë, avokat Spartak Ngjela solli atë të albanologut Johan von Han, i cili kur studionte gjuhën shqipe punonte gjyqtar në Greqi.
“Kjo çështje i takon ekspertizës shqiptare dhe të huaj. Unë konstatoj që po zbrazet dhe nuk po mbushet. Mund të kenë mundësi t’i bëjnë edhe në Shqipëri, por jo me 6-mujorët e Saliut. Enver Hoxha të paktën bëri reformë, por i solli nga Rusia.
Ky bëir një kurs në Plepa dhe e shikoni se ku e katandisi drejtësinë. Nuk mund të bëjmë më nga këto gjëra se janë turpe. Diçka duhet bërë, qoftë edhe me huazim. Mund të huazohen këshilltarët dhe gjyqtari të jetë shqiptar. Por nuk mund të presim se djegim sistemin”, tha Ngjela.
Me këtë ide nuk ishte dakord avokati Jordan Daci. “Mendoj se sovranitetin nuk duhet ta dorëzojmë te të huajt, për sa kohë ka burime shqiptare të mjaftueshme”, tha ai.