Trupat ushtarake të Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe janë duke zhvilluar në vendin tonë stërvitjen e përbashkët “Austere Wolf – 24”.
Gjatë një aktiviteti të mbajtur në kuadër të stërvitjes së përbashkët ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu tha se këto ndërveprime krijojnë një shembull të qartë të fokusit të vendeve tona në përmirësimin e kapaciteteve, gatishmërisë operacionale dhe infrastrukturës, që është jetike në përgjigje të realitetit të sigurisë në rajonin tonë, por edhe si pjesë e NATO-s.
Duke vendosur theksin tek lufta midis Rusisë dhe Ukrainës, Vëngu nënvizoi se jemi në kushtet kur një mbrojtje moderne kërkon një infrastrukturë të plotë dhe më të mirëmbajtur, ndaj Shqipëria ka nisur punën për rijetëzimin e industrisë ushtarake.
“Misioni ynë është që të forcojmë sigurinë, në një kohë kur Europa Juglindore është vazhdimisht nën kërcënimin e influencave malinje që kërkojnë të destabilizojnë rajonin dhe për të arritur këtë duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit me aleatët tanë“, tha ministri i Mbrojtjes.
Vëngu deklaroi se forca jonë qëndron te uniteti dhe përkushtimi për të mbajtur larg aktorët dashakeqës dhe kjo do të realizohet duke qëndruar në kursin euroatlantik.
“Korridori “VIII Response” tregon jo vetëm rritjen e aftësive tona ushtarake, por edhe rolin e Shqipërisë si një nyje logjistike për operacionet ushtarake. Në samitin e NATO-s, vendi ynë së bashku me Bullgarinë, Italinë e Maqedoninë e Veriut ndërmorën një hap të rëndësishëm me qëllim lehtësimin e lëvizshmërisë ushtarake të trupave të NATO-s përgjatë Korridorit të VIII”, theksoi Vëngu.
Shqipëria, tha Vëngu, konfirmon përkushtimin e plotë për të çuar përpara planet e zhvillimit infrastrukturor. Për të provuar këtë sipas ministrit mjafton të shohim projektin për infrastrukturën portuale në kompleksin Porto-Romano, si pjesë jetike për të hyrë në Korridorin VIII për një logjistikë dhe lëvizshmëri operacionale të rrjedhshme në të gjithë rajonin.
“Nuk mund të ketë stërvitje që nuk i përgjigjet realiteteve dhe realiteti është që zinxhirët e furnizimit në mbarë Europën Juglindore kërkohet të sigurohen, të jenë më të rrjedhshëm e më të qëndrueshëm, dhe ne mendojmë se Shqipëria ka një vlerë të shtuar në këtë plan të Aleancës”, u shpreh Vëngu.