Nis vaksinimi i personaliteteve, Rama: Kanë sakrifikuar për shoqërinë! Reagimet, stuhi në gotë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama ka folur sot, gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Elbasanit, për vaksinimin e personaliteteve në të 80-tat. Rama tha se bëhet fjalë për disa personalitete, të cilët nisin sot të parët vaksinimin, dhe që më tej procesi vijon me njerëz të zakonshëm.

Duke iu përgjigjur akuzave të opozitës dhe Presidentit Ilir Meta, kryeministri u shpreh se ata shprehën mllefin ndaj tij dhe qeverisë, dhe nuk ishte e denjë të ngrihej gjithë kjo stuhi, pasi këta personalitete i kanë dhënë vlera shoqërisë sonë.


“Bëhet fjalë për të filluar vaksinimin me personalitete, që janë 80-vjeçarë dhe për të dhënë një mesazh solidariteti me ta, një mesazh përkujdesjeje për ta. Vë re një far sekëlldie kur këta njerëz ndahen nga jeta, ka një moment lotderdhje dhe rrjedhje fjalësh e fjalimesh për ta, që nuk ma ha mendja se do të dukeshin më bukur, nëse ne do duhej të përballeshim larg qoftë me humbjen e ndonjërit prej tyre, për shkak të mungesës së vaksinës. Nga ana tjetër, edhe për të shfrytëzuar pozitivisht imazhin dhe influencën e tyre te njerëzit, në kushtet kur vaksinimi është një fushatë kudo.

Nuk janë as të parët me diferencë, janë të parët në një ditë të parë, ku do të vaksinohen edhe njerëz të zakonshëm. Fillon me ta në mënyrë simbolike, në mënyrë shembullore, për të vijuar me tjerët. Por edhe këtë rast e përdorën për të shfryrë mllefin ndaj qeverisë dhe ndaj meje. 

Janë njerëz që i kanë dhënë kësaj shoqërie, kanë kontribuar dhe sakrifikuar për të krijuar vlera në këtë shoqëri, ndaj nuk besoj se do të ishte e denjë të ngrihej gjithë kjo stuhi në gotë, kur bëhet fjalë në fakt për dhjetëra persona, që në peshën e vaksinave që do të bëhen, janë disa pika ujë në det”, tha Rama.




Skip to toolbar