Ministri në Detyrë, Gent Cakaj ka reaguar një ditë para se të bëhet publik progres raporti i BE-së për Shqipërinë dhe vendimi për hapjen ose jo të negociatave. Cakaj ka qenë i pranishëm në takimin e Grupit të vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor ku edhe ka deklaruar se është koha për hapjen e negociatave.
Cakaj ka deklaruar që “Bashkimi Evropian të ndërmarrë hapa konkretë për të siguruar angazhimin e tij ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që të ruhet motivimi, ritmi i reformave dhe prosperiteti ekonomik e social”.
Ministrat e jashtëm të vendeve të Vishegradit dhe Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Bratislavë për të diskutuar mbi mundësitë e bashkëpunimit dhe perspektivën evropiane të vendeve të rajonit tonë.
Në fokus të këtij takimi ishte gjithashtu mbështetja e fuqishme politike e vendeve të Vishegradit në këtë moment të rëndësishëm për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe liberalizimin e vizave me Kosovën dhe avancimin e proceseve integruese në përgjithësi.
Në fjalën e tij, Ministri në Detyrë Gent Cakaj theksoi se Shqipëria ka bërë një progres të jashtëzakonshëm në avancimin e prioriteteve dhe meriton hapjen e negociatave.
Ai gjithashtu, vuri në dukje se Shqipëria e sheh dialogun politik dhe bashkëpunimin rajonal si një ndër elementët kryesorë që bashkuan rajonin dhe e pozicionuan atë në rrugën e duhur të integrimit evropian.