Një gjykatës në Pensilvani hedh poshtë kërkesën e Trumpit për votat me postë

BOTA


Një padi nga fushata e presidentit amerikan Donald Trump, përmes së cilës kërkohej ndalimi i certifikimit të miliona votave me postë në Pensilvani, është hedhur poshtë nga një gjykatës federal.

Në vendimin e 21 nëntorit, gjykatësi Matthew Brann shkruan se fushata e Trumpit ka përdorur “argumente të pabazuara ligjore dhe akuzime spekulative… të pambështetura në dëshmi”.


“Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo nuk mund të justifikojë heqjen e të drejtës së votimit për një votues të vetëm, e lëre më për të gjithë votuesit e shtetit të gjashtë me popullsinë më të madhe. njerëzit tanë, ligjet dhe institucionet tona kërkojnë më shumë”, thuhet në vendimin e gjykatësit.

Zyrtarët e Pensilvanisë tani mund të certifikojnë rezultatin zgjedhor, i cili e shpall fitues në këtë shtet demokratin Joe Biden, me mbi 80,000 vota.

Biden ka fituar zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, duke arritur të marrë 306 vota elektorale, kundrejt 232 sa ka fituar presidenti Trump. Biden ka fituar në shtete kyçe, përfshirë Pensilvaninë.

Vendimi i këtij gjykatësi në Pensilvani është një goditje e radhës ndaj përpjekjeve dëshpëruese të Trumpit për të përmbysur rezultatin zgjedhor përmes një sërë procesesh gjyqësore./rel




Skip to toolbar