Pas Lezhës dhe Mirditës të dielën, socialistët dhe demokratët kanë kryqëzuar rrugët sërish në Elbasan. Por kësaj radhe nuk ishte Noizy motivi i përplasjes së deklaratave, por zhurma e kërcëllitjes së dhëmbëve të Tomor Alizotit.
“Kam ardhur me shumë frikë dhe gati-gati isha duke u kthyer mbrapsht se ka dalë njëri këtej që do na hajë të gjallë. Edhe thashë, mirëpo nuk e shoh gjëkundi atë. Sot kemi dhe një takim të madh përmbyllës në Elbasan edhe ju falënderoj shumë që jeni kaq shumë këtu se duke parë kaq shumë edhe mua më del pak frika.
Edi Rama, i cili simbolikën e fjalës ndonjëherë e ka më të fortë kur nuk e thotë, u kuptua qartë kur la të kuptohej menynë reale të gjellës që përtyp Tomor Alizoti.
“Më del pak frika se ai kur thotë “do hamë”, ai ha me gjithë mend”
Alizoti, ka deklaruar dy herë se do hajë të gjallë Ramën dhe socialistët, dhe njëherë se do i shtypë. Por ne te dyja heret ka kerkuar ndihmen e doktorit.
“Tani hajde ti doktor se ty të kanë frikë këta”
Por Berisha, paraditen e së martës, i kishte fikur motorët, personale dhe elektorale. Në Elbasan, çoi krahun e tij të djathtë, Flamur Nokën. Me direktiva të qarta.
” Larg duart Suel, se nuk do të ketë qeli të errët që do të mbajë ty. Ta harrosh ti se mund të kërcënosh demokratët. Mos tento të telefonosh as komisionerë dhe as demokratë sepse je duke bërë një krim më të shëmtuar se krimet që ke bërë. Partia Demokratike nuk do të ta falë atë që po bën. “
Noka flet edhe për kufoma në 2025, por për kufoma politike.
“Je duke mbështetur një të “vdekur politik”. Je duke mbështetur një “kufomë politike” ndaj po të them se Edi Rama, është në agoninë e tij politike. Do të vazhdosh edhe ti në atë drejtim me të.”
Kufoma e fundit në Elbasan në njëpalë zgjedhje, nuk ishte politike por reale. Atë e shkaktoi bodigardi i Gazmend Bardhit, i cili sot është prej vitesh në qeli. Por Gazmend Bardhi vetë, kur ishte kundër Syrit, Berishës dhe Nokës, mendonte se Suel Çela punonte për Rithemelimin.
‘’E kam patur përballë në fushatën e 25 prillit dhe sot Suel Çela punon për atë që bën tifo ai zotëria që drejton TV tuaj. Dhe sot ky individi që e kemi pasur përballë në zgjedhjet e 25 prillit thërret drejtues të PD në Elbasan dhe i vendos përpara formularin për nënshkrim. E di dhe Flamur Noka se ka qenë para dy ditësh i thirrur nga ata që kanë besuar te demokratizimi i Partisë Demokratike, pikërisht për këtë çështje, se nuk të pranojnë demokratët e Elbasanit t’ua mbledhë Kuvendin Kombëtar të PD, Suel Çela. Nuk e pranojnë kurrë”
Nga këto deklarata kontradiktore, është vështirë të kuptosh se kush gënjen dhe kush thotë të vërtetën për Suelin dhe bindjet e tij politike. Ndërkohë në radhën e kandidatëve të PD, është një zonjë nga fisi rival Çapja. Ndoshta shapin nga sheqeri e ndan vetë doktori, që të mërkurën rikthehet sërish në Elbasan për mitingun final.