Nuk ka dakordësi në Këshill, Gjiknuri: Opozita kërkon qiqra në hell! Të vijnë në Këshill, pastaj i drejtohemi OSBE-ODIHR

Më të fundit


Këshilli Politik nuk arriti të gjejë dakordësi në mbledhjen e radhës mbajtur mesditën e sotme. Në një prononcim për mediat, përfaqësuesi i PS-së në Këshill, Damian Gjiknuri u shpreh se drafti i prezantuar sot nga maxhoranca meriton të diskutohet.

Lidhur me kërkesën e opozitës së bashkauar e cila kërkoi sot ndihmën e OSBE/ODIHR, ai tha se OSBE-së i shkohet me një draft konkret të dalë nga diskutimet dypalëshe dhe jo me një draft të njëanshëm.  


“Besoj që të gjithë e patë që fatkeqësisht PD bojkotoi Këshillin Politik. E bllokoi me të njëjtat qëllime të hedhin peng procesin të mbajnë peng ndryshimet kushtetuese. Nga ana tjetër stiset një debat i kotë, po bëjnë sikur zihen për procedurë a duhet ODIHR tani, a duhet pastaj. ODIHR është organizatë e specializuar që jep mendim për produktet konkrete, ne e sollëm një produkt zgjedhor aty parashikohen koalicionet dhe mekanizma që përcaktojnë ndarjen e mandateve, se zgjedhësi voton edhe për partinë edhe për kandidatët. ODIHR nuk i shkohet për sherre teorike, jep opinion për drafte. Ka qenë këtu për rekomandime po gjetët rekomandim që thotë ODIHR se si zbatohen ndryshimet kushtetuese…hajde të punojmë, koha nuk pret. Në tetor të fillojë nga puna KQZ e re.

Afati është i shkurtër dhe shkurtohet përditë. Ne kemi definicion për koalicionet aty. Më gjeni një pikë të 5 qershorit që ka qenë e debatueshme çështja e koalicioneve. Për ta kuptuar shqiptarët: PD nuk do vazhdimin e kësaj tryeze, do ngecjen e saj. Nëse e ndjejnë veten të fortë ata i kanë votat, por ky është sebep për të justifikuar krizën e tyre të brendshme. Nuk jam i dashuruar me ato që kemi sjellë, mund të kemi edhe ne defekte po ama hajde të diskutojmë për to, pastaj të nisë debati. Unë i pres në mbledhje ata kërkojnë qiqra në hell. Nuk mund të kemi ekspertizë pa pasur draft më parë. Unë nuk dua që ODIHR të gjykojë draftin tonë të njëanshëm, duhet edhe opinioni i PD, i shkohet me produkt konkret ODIHR-it”,- tha Gjiknuri./realstory.al




Skip to toolbar